Financimi i universiteteve

15/01/2012 15:45

Edhe pas kontestimeve të njëpasnjëshme të përfaqësuesve të universiteteve publike dhe shoqërisë civile, ministri i Arsimit ka theksuar se skema e financimit të universiteteve do të zbatohet këtë vit dhe ajo nuk do të pësojë asnjë ndryshim.

Nga fondet publike do të përfitojnë edhe universitetet private nëse studentët do të kërkojnë të vijojnë arsimin e lartë aty.

“Gjatë vitit 2012 do të përfundojnë përgatitjet për zbatimin e reformës financiare të arsimit të lartë. Kjo reform do të zbatohet në të gjitha etapat e saj nga universitetet publike. Plani i veprimit është miratuar. Në vitin 2012 do të ngrihet sistemi i kredisë studentore”, u shpreh Tafaj.

Të paktën 50 mijë studentë ndjekin arsimin publik dhe vetëm 8-9% e të rinjve ndjekin arsimin e lartë privat. Ministri i Arsimit tha se këtë vit do të vihet në zbatim edhe sistemi i kreditimit për të rinjtë që duan të ndjekin universitetin.

Në këtë analizë vjetore, kreu i arsimit tha se zgjedhjet në universitetet publike për dekan dhe rektor do të nisin javën e ardhshme.

Ndërkaq, këtë vit korrigjimi i provimeve të Maturës Shtetërore do të bëhet në formë elektronike.

Top Channel