Dëbora vështiron qarkullimin

14/01/2012 00:00

Shtatë komuna në qarqet e Dibrës dhe Kukësit raportohen të izoluara nga
pjesa tjeter e vendit, për shkak të reshjeve të dëborës.

Gjate nje interviste per Top Channel, Drejtori i Emergjencave Civile shprehet se deri me tani nuk ka patur ne keto zona te bllokuara, asnje rast urgjence mjekesore apo per ndihme ushqimore.

“Në qarkun e Dibrës kemi të bllokuara Lura, Ostreni dhe Trebishti dhe në qarkun e Kukësit janë të bllokuara Zapoti, Arni, Grykë Caja dhe Shishtaveci. Problematike mbetet si gjithnjë pjesa e rrugëve rurale të zonave tepër të thella malore, sidomos zona të cilat njihen për të terrenin e tyre të thyer dhe ku mundësia e operimit është shumë e vështirë, sepse ka stuhi bore, që bëjnë bllokimin e menjëhershëm të rrugës”, thotë Olli.

Sipas zotit Olli, rruget nacionale te prekura nga reshjet e debores dhe ngricat jane te kalueshme, ne disa prej te cilave eshte i detyrueshem qarkullimi me zinxhire.

“Aktualisht edhe qytetet kryesore të këtyre prefekturave janë mbuluara nga bora. Në Korçë trashësia e borës është 15-20 centimetër dhe po kështu është edhe në Kukës dhe Dibër. Pritet ulja e nivelit të temperaturave që do të shkaktojë ngrica, në bazë të informacioneve që kemi nga Qendra e Hidro-Meteorologjise. Problematike është zona e Qafës së Malit, sidomos pjesa që lidh Qafën e Malit me rrethin e Tropojës dhe Qafa e Shllakut që lidh Pukën me Kukësin, ku duhen përdorur patjetër mjetet mbrojtëse”, tha Olli.

Te gjitha komunat qe jane te bllokuara kane mesatarisht secila nga 400 deri ne 500 banore dhe per cdo vit ato izolohen nga reshjet e debores.

Top Channel