Shqip: Shqipëria nën dëborë

13/01/2012 00:00

Moti i keq me reshjet e vazhdueshme të dëborës dhe temperaturat minimale, vecanërisht në veri dhe veri-lindje të vendit, ka izoluar mijëra banorë. Por si po përballohet kjo situata nga institucionet përkatëse shtetërore? Ku dhe për cfarë kanë nevojë shqiptarët nën dëborë dhe temperaturat ekstreme minimale që kanë përfshirë vendin?

Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera u dha përgjigje emisioni “Shqip” në Top Channel me temë “Shqipëria nën borë”.

Emisioni solli disa lidhje direkte, që nga Shtabi i Emergjencave Civile që udhëhiqet nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani e deri në lidhjet direkte me udhëheqës lokalë në bashkitë e prefekturat e prekura më shumë nga dëbora.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në cilësinë e kreut të Shtabit të Emergjencës ku përfshihen shumë prej dikastereve të kabinetit qeveritar, bëri një panoramë të gjendjes. Problematika, sipas tij, është kryesisht në pesë qarqe, përkatësisht në Kukës, pjesërisht në Shkodër, Korcë, Dibër dhe pjesërisht në Librazhd.

Zoti Nishani sqaroi mënyrën e punës, koordinimin dhe veprimin e Shtabit të Emergjencës Civile me organet e pushtetit vendore dhe me grupet e punës që përcojnë ndihmat e materialet e tjera të nevojshme, por dhe atyre të zhbllokimit të rrugës. Nga salla operative e Shtabit, ministri Nishani sqaroi se përparësi e mbetet hapja e rrugëve dhe ardhja në ndihmë e personave që rrezikojnë jetën. Ai foli për rrugën se si mund të kontaktohet me këtë shtab dhe bëri thirrje për sensibilizim me popullsinë.   

“Forma më zyrtare e komunikimit përmes kryeplakut të fshatit dhe kryetarit të komunës. Kemi patur kontakte me kryepleqtë dhe kryetarët e komunave. Kemi vënë 3 numra telefoni në dispozicion që qytetarët të adresojnë problemet personale dhe familjare. E gjithë puna është fokusuar në 3 drejtime, në mbajtjen hapur të akseve rrugore, qoftë nacionale, qoftë rurale dhe rrugët komunale, 2- dhënien e ndihmës për emergjencat shëndetësore, parësore siguria e qytetarit. Me dhjetra raste është bërë e mundur ndërhyrja në zona të vështira deri te Alpet e Shqipërisë, në Lekbibaj. Qytetarët, punonjës të ushtrisë, policisë kanë bërë të mundur transportin e dy nënave në lindje në Sllovë dhe qarkun e Kukësit. Po monitorohet dhe për situata të tjera. Në këto kushte solidariteti është e rëndësishëm dhe shembujt kanë treguar që ekziston dhe funksionon”, tha zoti Nishani.

Por cfarë ndryshon me shpalljen e gjendjes së emergjencës? Për këtë Bujan Nishani sqaroi: “Ajo që varet është parapërgatitja eficenca gjatë ndërhyrjes. Mekanizmi u bë i vlefshëm dhe kjo tregon që puna përgatitore është e rëndësishme. Kemi një mekanizëm të konsoliduar që funksionon, në një territor shumë të gjërë, shumë të madh. Emergjenca celi një fond financiar, fond që ka qenë i planifikuar në buxhet për Drejtorinë e Emergjencave Civile, shpallja e emergjencave anashkalon veprimet burokratike për shfrytëzimin e këtij fondi. Në takimin e Kukësit, ata kërkonin një buxhet pasi mund të kontraktojnë mjete që janë shumë më të efektshme për pastrimin e dëborës. Ky ishte një hap i domosdoshëm që sjell fleksibilitet për përdorimin e të gjitha mjeteve dhe resurseve. Kompanitë publike dhe private janë të angazhuar me mjetet logjistike dhe financiare deri në zgjidhjen e situatës”.

Në panel ishte i ftuar edhe Fatmir Vejsui, përfaqësues i Ministrisë së Arsimit, ai foli për vendimin e pezullimit të mësimit në shumë shkolla në zonat e prekura nga dëbora e dendur. Mësimi është ndërprerë krejtësisht në Qarkun e Kukësit, në një pjesë të madhe në atë të Dibrës, pjesërisht në Dibër e Korcë si dhe në rrethin e Librazhdit. Mësimi do të fillojë tha ai, kur drejtuesit e insitucioneve arsimore rajonale të verifikojnë se nuk ka rrezik për nxënësit, jo vetëm në transport, por edhe tek kushtet e godinave dhe cative të tyre, që mund të rrezikojnë shëmbjen me shkrirjen e dëborës.

 Në lidhje direk me Korcën, prefekti i këtij Qarku, Andrea Mano, bëri një panoramë për situatën në këtë qark. Ai tha se nga 37 njësi vendore, vetëm 2 janë aktualisht të izoluara, përkatësisht Komuna Clirim në Ersekë dhe ajo e Lekasit. Por punohet, tha zoti Mano që të hapen rrugët edhe në këto dy komuna, ndërsa sqaroi se akset nacionale nuk janë bllokuar për asnjë ditë.

Në panel ishte i ftuar edhe zoti Admirim Lakra, Drejtor i Divizionit të Shpërndarjes pranë kompanisë CEZ. Në fjalën e tij ai tha: Situata është jo e zakonshme, ka ngarkesë në rrjet, energjia përdoret për cdo gjë. Ngarkesat kanë qenë në maksimum gjatë kësaj periudhë, piku arriti në 27.5 mln kilovat/orë. Ne po punojmë në kushte optimale, po përballojmë situatën, shto këtu motin e keq, erërat e forta dhe në kushte të tilla ka anomali në rrjet. CEZ ka trashëguar një rrjet të amortizuar por deri në këtë moment është përballuar situata. Qeveria, CEZ, ERE, deri në këtë moment nuk kanë asnjë shenjë për ndërprerje. Jemi të përgatitur për situata edhe më të vështira se kjo, shpresojmë që furnizimi të jetë i pandërprerë. Ndërprerjet janë avari deri më tani dhe ne kemi riparuar avaritë në një kohë të shkurtër, në zonat e izoluara furnizimi është i garantuar”.

Në një tjetër lidhje direkt, “Shqip”solli Ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili i cili deklaroi se nuk është regjistruar asnjë viktimë nga moti i keq: Ka qenë një situatë e jashtëzakonshme dhe sistemi shëndetësor është vënë në një provë të re. Të gjitha njësitë tona funksionojnë me komunikim të vazhdueshëm. Operacionet kanë rezultuar të suksesshme dhe kanë kursyer jetë njerëzish. Nuk kemi raste konkrete që vdekjet të kenë ardhur nga shkaku i motit dhe mosdhënies së ndihmës mjekësore. Spitalet rajonale kanë aftësi të përballojnë nga ana profesionale dhe materiale situata edhe më të rënda se kaq. Spitalet rajonale kanë pritur të sëmurët, më pak se 5 përqind e tyre kanë ardhur në Tiranë.

Nga Bulqiza, kreu i bashkisë së këtij qyteti foli për një situatë “normale” në qarkullim, por shtoi se dhënia e një fondi prej 6 mln lekësh të vjetra nga Shtabi i Emergjencave Civile është i pamjaftueshëm për të përballuar situatën. Për situatë të normalizuar foli edhe kreu i bashkisë së Kukësit, ndërsa ai në Peshkopi foli për vështirësi të mëdha në lëvizje, por shtoi se situata është nën kontroll.

Ndërkohë, nga Shkodra, korespondenti i Top Channel, Ardi Hoti foli për mijëra banorë të izoluar në shumë komuna të thella të këtij qarku, si në Dukagjin e në Malësinë e Madhe, ku njerëzit tashmë po përpiqen të hapin rrugët për të mbërritur në spitalet dhe qytetet e Malit të Zi, pasi komunikimi me pjesën tjetër të vendit tonë, është i pamundur. Edhe në këto zona, ndihma nga ajri është e pamundur, ndërsa Top Channel mëson se antenat e operatorëve telefonikë celularë që janë të vendosura në këto zona nuk kanë energji elektrike, cka e bën praktikisht të pamundur komunikimin me telefon për këta banorë të izoluar.

Kryeredaktori i Top Channel, Mentor Kikia deklaroi se prej vitesh tashmë, Shqipëria përballon situatat e emergjencës me vonesë, duke u shtuar atyre koston njerëzore dhe financiare. Të njëjtin mendim ishte edhe ish-ministri i Ekonomisë, Marko Bello.

Top Channel