Mediu: Referendumi, lëvizje politike

13/01/2012 00:00

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu i konsideron përpjekjet e disa organizatave të shoqërisë civile për organizimin e një referendumi popullor për ligjin e trajtimit të mbetjeve, si përpjekje politike për interesa të Partisë Socialiste.

“Për fatin e keq, ka një grup njerëzish të interesuar që ta kthejnë në cështje politike duke abuzuar me mënyrën si etiketohet ligji. Do të thosha se është kthyer në një grup që është tërësisht nën kontrollin e PS. Do ishte mirë që PS ta ndërmarrë këtë referendum si parti dhe jo me zëdhënës që nxjerr herë pas herë për të mbështetur këtë referendum”, deklaroi Mediu.

Gjatë analizës vjetore për ministrinë që drejton, Mediu tha se Shqipëria duhet të heqë dorë nga praktika e groposjes së mbetjeve dhe t’i trajtojë ato sipas standarteve të Bashkimit Europian.

Ministri i Mejdisit përmendi edhe marrëveshjet me Malin e Zi për evitimin e përmbytjeve në zonën e Shkodrës dhe atë rajonale për menaxhimin e burimeve të lumit Drin. Aleanca

Kundër Importit të Mbetjeve hapi disa ditë më parë fushatën për mbledhjen e 50 mijë firmave, që janë të domosdoshme për mbajtjen e referendumit popullor, për të hedhur poshtë ligjin për importin e mbeturinave.

Gjithashtu, ajo nisi zhvillimin e një anketimi mbi ligjin e menaxhimit te mbetjeve, i cili është shtrirë në 600 familje, ku janë pyetur persona të moshës mbi 18 vjec.

Top Channel