Albin Kurti merr “Personazhi i Vitit”

10/01/2012 20:00

Në selinë e Vetëvendosjes nuk ka asgjë konvencionale. Deputetë dhe aktivistë po përgatiten për një protestë që organizohet në fundjavë në pikat kufitare me Serbinë. Mes tyre gjetëm dhe kryetarin Albin Kurti, të cilit i dorëzuam trofeun e anketës së Top Channel – Personazhi i Vitit.

Për aktivistin e përjetshëm dhe politikanin e ri, që synon bashkimin kombëtar, ky trofe s’ka cmim, pasi në anketën e përvitshme të Top Channel, Albin Kurtin e votuan shqiptarët në Kosovë,  Diasporë dhe Shqipëri.

“Faleminderit për këtë cmimim të pacmueshëm, që është jashtëzakonisht i vlefshëm për Vetëvendosjen e bashkimin e kombit tonë. Shqipëria është shumë më e madhe se Republika e Shqipërisë, dhe Topi (kupto Top Channel) i përket Shqipërisë. Votuesit janë dëshmi që sa herë u jepet rasti, populli shqiptar dëshmon se është një”, deklaroi lideri i VV, Albin Kurti.

Mes foltores së Kuvendit dhe rrugës, fushatave kundër dialogut, prodhimeve serbe dhe korrupsionit, Vetevendosje nuk ka rënë pre e konformizmit politik. Denoncon vjedhjen që po i bëhet Kosovës nëpërmjet një sistemi.

“Korrupsioni nuk ndodh se politikanët janë të korruptuar, por për shkak të modelit politik dhe socio-ekonomik që riprodhon korrupsionin, privatizimet e egra dhe evasive. Ky model është ai që fabrikon këta politikanë të korruptuar që janë mishërim dhe zbatues të tij”, tha Kurti.

Albin Kurtin e kanë quajtur edhe “protestues i lindur”. Nga protestat si student kundër regjimit të Milloshevicit, me guximin e shfaqur pas mureve të burgjeve serbe, e deri te Serbia nuk kalon. E për të cilën Ministria e Brendshme thotë se nuk do lejohen bllokime ilegale rrugësh.

“Ministria e Brendshme mund të japë urdhëra me direktiva të tillë politike, por do të jetë në kundërshtim me Kuvendin e Kosovës. Ne më 14 janar do jemi krejtësisht të padhunshëm. Qindra e qindra maune të Serbisë do të bllokohen dhe kufiri do të bëhet vërtet kufiri shtetëror i Kosovës, në respekt të Kushtetutës dhe 85 shteteve që kanë njohur pavarësinë”, deklaroi lideri i Vetëvendosjes.

Kurti pavarësisht se c’formë proteste ka zgjedhur, nuk e ka braktisur kurrë kërkimin e Vetëvendosjes. Sfida e radhës është në kufijtë shtetërorë me Serbinë, që për të qenë të tillë, sipas Kurtit duhet të sprapsen së pari serbët, në mënyrë që sic thotë ai: të mos kemi qeveri që sprapsen në Kosovë.

AK: Kurti e meriton

Aleanca Kuq e Zi ka përshëndetur marrjen e cmimit “Personazh i Vitit 2011” prej liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në një deklaratë të sajën, Aleanca Kuq e Zi vlerëson se dhënia e këtij cmimi nga Top Channel për Albin Kurtin është plotësisht e merituar dhe një vlerë e shtuar cështjes kombëtare shqiptare. Vetë lideri i AK-së, Kreshnik Spahiu tha se AK mbështet cdo lëvizje dhe cdo individ që punon për mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

Top Channel