Ish-Kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko është propozuar për postin e Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm së OKB të Europës dhe vendeve të ish-Bashkimit Sovietik dhe Kaukazit.

Në lidhje me këtë propozim, zoti Majko njofton se,

“Për një politikan karriere si unë, pavarësisht moshës time të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtarë. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisje globale do të ishte një nder për cilindo politikan karriere. E theksoj dhe njëherë se kandidimi i emrit tim është thjesht në stadin e kandidaturave jo të pakta që arrijnë pranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, dhe që në fund është Shkëlqesia e tij Z. Ban Ki-Moon ai i cili do të përzgjedhë kandidaturën më të përshtatshme”, deklaron deputeti socialist Majko.

Po ashtu ai thekson se  “Sot Kombet e Bashkuara po marrin një rol akoma dhe më primar në manaxhimin e krizave, paqes, zhvillimit njerëzor si dhe luftës kundër varfërisë në botë. Shqipëria është një vend i vogël, por që 10 vjetët e fundit ka ditur të japi kontributin e saj në paqen jo vetëm në rang rajonal, në manaxhimin e krizës se Kosovës dhe Maqedonisë, por edhe atë global me pjesëmarrjen e saj në paqeruajtësit e kombeve të bashkuara”.

Pandeli Majko prej gati 20 vjetësh është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 1999 kur ishte kryeministër, menaxhoi situatën gjatë luftës në Kosovë.

Më pas ka qenë Ministër i Mbrojtjes, ndërsa që nga themelimi i Partisë Socialiste, është një nga figurat kryesore të saj.

Top Channel