Doktor, pse do të na sëmurësh me zor?

10/11/2011 00:00

Xhovalin Delia – Në politikën shqiptare ka shumë probleme dhe plehra pa hesap, por
menaxhimi i plehrave të vendit, e sidomos ligji për importimin e
mbetjeve të botës, ka rrezik të reduktohet në problem politik, por në
fakt është çështje jetike imediate mbarëshqiptare.

Menaxhimi i plehrave është i paevitueshëm, por do gjetur vendi për të evituar rreziqet e jashtëzakonshme që mbart ky proces në ndotjen e mjedisit. Territori i vogël shqiptar është tepër i vogël për të përballuar miliona tonelata mbetje të botës. Pa dashur të hyj në meritë të çështjes, kujtoj bashkatdhetarët se as për centralet termike, as për ato nukleare, e as për mbetjet toksike nuk kanë zgjedhur Shqipërinë si “më të mirën” e si “më të përshtatshme”, por thjesht për të mos ndotur mjedisin e tyre. Prandaj, ndalimi i importit të mbetjeve është urgjente e do bërë menjëherë! Nuk pret puna derisa të vinë në pushtet “shpëtimtarët” që premtojnë shfuqizimin e ligjit për importin e mbetjeve për tri arsye: e para, sepse mbetjet nuk kanë shpatulla e po hynë nuk i nxjerrim dot më as me ligj, e as me luftë; e dyta, sepse nuk e dimë kush e kur do të vijë në pushtet pas plehrave; dhe e treta, nuk ka asnjë garanci që bash këta që sot pështyjnë këtë ligj, nesër mund ta lëpijnë. Kujtoj shqiptarët se kallauzi i parë i plehrave të botës ka qenë kryeministri rozë. Kush e mendonte në atë kohë se “shpëtimtari blu” do t’i hapte derën një mynxyre të tillë?! Prandaj, jetën tonë s’ka pse t’ia besojmë kurrë askujt. Le ta marrin në dorë fatin tonë! Cilido që do të jetë çmimi i rezistencës ndaj importit të mbetjeve, ia vlen për sot e për mot. Nuk mjaftojnë peticionet, aleancat, deklaratat politike e as politikanët. Alternativa është referendumi, rezistenca horizontale e mbarë shqiptarëve të majtë e të djathë, jo nesër, por sot e menjëherë! STOP IMPORTIT TË MBETJEVE! Rezistenca e kreut të shtetit, si pikë asnjanëse e më e larta e sistemit tonë demokratik, është pikë referimi e do mbështetur, jo si çështje politike, por jetike mbarëkombëtare. Spekulimi politik do të ishte imorale. Këtu nuk bëhet fjalë për kuti votash, por për një varr të madh për të gjithë ne, prandaj: Çdo shqiptar që e do dhe respekton jetën e vet e të tjetrit ka të drejtë e për detyrë të votojë kundër cilitdo që guxon të na e prekë jetën e natyrën që Zoti na ka falur!

Përsëris, shqetësimi im nuk është politik, por etik, ekologjik, jetik, i njëjti i dy vjetëve më parë, kur falë një informacioni të detajuar të R. Savionos, kam dhënë alarmin për mbetjet radioaktive që paketoheshin për në botën e tretë (“Plehrat mbulojnë plehrat” –  Gazeta ‘Sot’ & ‘Shekulli’). Sot nuk është më hipotezë, por fakt. Njëri nga vendet e botës tretë është Shqipëria, qeveria e së cilës i ka hapur derën importit të mbetjeve të botës, me ligj. Para këtij absurdi pyes: pse nxiton qeveria jonë të përligjë një mynxyrë të tillë? Për qëllim ekonomik? Strategjik? Apo rruga për në Europë kalon nëpër plehrat e tyre? Janë qeveritarët tanë që tundohen nga plehrat e Europës apo zotërinjtë perëndimorë na konsiderojnë miza? Pse ka marrë qeveria shqiptare përsipër një telash kaq të rënd? Ç’hall i madh e ka zënë? Kush fshihet pas kazanit të plehrave? (amici di Lavitola?!?) Zotni kryeministër, këto gjëra duhet të na i shkoqisësh në kuvend si burrë shteti e burrë malësie. Doktor, s’ka pse dhjet bota në shtëpinë tonë! Bashkatdhetarë të varfë, kur s’kemi bërë prokopi me djersë e mund, nuk do të bëjmë as me mut! (I kërkoj ndjesë lexuesit për fjalorin vulgar e erën e keqe të shkrimit, por kur bëhet fjalë për plehra të tilla, edhe pse shkruaj nga Firence, nuk gjej fjalë të tjera e nuk mund t’iu ofroj aromë lulesh! ).

Edhe këtu nuk mungojnë plehrat, por, ndryshe nga Shqipëria jonë, ku në çdo pëllëmbë tokë duket dora barbare, mëndja e mbrapshtë e shpiti i trazuar shqiptar, këtu, në këtë tokë tejet të populluar e heterogjene, në çdo qoshe, edhe në fshatin më të humbur e më të varfër, ndjehet dora e artë, mendja e hollë e shpirti i ndritur i këtij populli të mbarë që di të ndërtojë, të mbjellë, të korrë të gatuajë, të rrojë e të prosperojë. Por edhe ky popull gjenial, tunduar nga parajà (“bumi ekonomik” i viteve ‘70), ka nxjerrë plehra të babëzitur që kanë ndotur, dëmtuar si “bam bumi” postkomunist i makutërisë shqiptare, që s’kanë lënë pemë pa prerë e pyll, pa djegur kopsht, arë, rrugë, kodër e bregdet, pa betonuar për t’u bërë “miliarderë”. Bashkatdhetarë “bosa ndërtues”, ky nuk është ndërtim, por rrënim. Ne nuk kemi qytete, monumente kulture, muze e as vepra arti si italianët, por kemi një natyrë jo vetëm “shkëmbore”, por përrallore e pjellore. Le ta ruajmë, ta ripërtërimë e ta mirëmbajmë këtë pasuri të rrallë! Nuk është vetëm e jona, por edhe e atyre që do vijnë.

Nuk dua të paragjykoj qeverinë tonë, e as të vë në dyshim qëllimet ambicioze të kryetarit të saj, por nisur nga rreziku i madh që mbartin mbetjet perëndimore për mjedisin e shëndetin e njeriut, pyes: Çfarë fiton Shqipëria nga importi i mbetjeve, dhe çfarë do të humbiste nëse do t’i refuzonim ato?

Cilado që të jetë shifra e fitimit imediat, është gjithmonë më i vogël  se dëmi dhe rreziku afatgjatë që i kanoset Shqipërisë. Parë nga ky këndvështrim, sikur nga një “çek të bardhë” për frymë të na firmosnin miliarderët perëndimorë, nuk do ta justifikonte ligjin për importimin e mbetjeve. Doktor, pse do të na pasurosh me zor? T’u rrit ndera ty dhe atyre, por nuk duam të bëhemi as superfuqi energjetike e Europës e as nevojtorja e botës! Na lër në shenjtërinë tonë natyrale, na mëso të jetojmë në harmoni me tokën, qiellin, ujin e diellin! Nuk do të doja që ky reflektim të interpretohej si “natyralizëm fanatik”, pasi është thjesht arsyetim dialektik, pragmatik afatgjatë, si raporti i këmbëve me jorganin. Një bythë vend është Shqipëria, doktor. Një pordhë të lëshojë ndonjë i papërgjegjshëm në Tiranë, qelbet Shqipëria anë e mbanë. Po miliona tonelata mbetje që nuk e dimë se ç’janë? Le të pastrojmë e të menaxhojmë plehrat tona. Le të sensibilizojmë bashkëqytetarët tanë, të cilët edhe pse e dinë që një shishe plastike jeton 1000 vjet, i lëshojnë ato kudo si lopa bajgën. Bashkëqytetarë të dashur, pisa e të paedukuar, le të bëhemi paksa më të përgjegjshëm se lopa! Le të reflektojmë të gjithë për “plehrat pasuri”, që brezave që vijnë po u lëmë trashëgimi  nën e mbi tokë, në parqe, rrugë, plazhe, mrize, lumenj, lëndina e dete! Imagjinoni gërmimet arkeologjike të vitit 3000! Në vend të bizhuterive, mozaikëve e vazove të bukura ilire që arkeologët e sotëm kanë pasur fatin të gjejnë, stërnipat tanë arkeologë do gjejnë qese, shishe plastike e para pare shqiptare! A thua do t’i bindim si stërnipat ilirëve, apo do na klasifikojnë thjesht barbarë?

Të dashur bashkëkohës barbarë, nëse nuk jemi të aftë për t’u lënë gjëra të vyera, le të evitojmë të dëmshmet. Nëse nuk mbjellim dot, le të mos presim e të mos djegim! Nuk ju kërkoj të mos hani, por ju lutem mos dhisni vend e pa vend! Nevojitet pak vullnet i mirë, shumë edukim qytetar e një orientim i mbarë qeveritar. Mjafton të duam e të respektojmë veten, njëri-tjetrin, jetën, e mbi të gjitha Natyrë Mëmë. Ata që celebrojnë dashurinë apo urrejtjen midis njeriut e natyrës, si në çdo fushë tjetër, janë të plotfuqishmit e Dheut, politikanët e shtetarët. Një politikan egoist dritëshkurtër, për pushtet, pare e lavdi sakrifikon popullin e vendin e tij, ndërsa një burrë shteti me vizion, për prosperitetin e popullit dhe të vendit, bëhet fli!

Politikanë e shtetarë: keni shkapërcyer çdo cak etik, politik, moral e qytetar. Nëse nuk iu dhimbsen bashkëqytetarët e varfër e as Toka e pasur, keni mëshirë për vete e pjellën tuaj!

Gazeta “Shqip”

Top Channel