Ekspertiza: Kafka e Çopës e dëmtuar

26/10/2011 19:35

Vetëvrasja apo vrasja e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës vazhdon të ngjallë debate në opinion, ndërkohë që hetimet mbi të janë intensifikuar.

Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj ka zhvilluar një takim treorësh në prokurorinë e rrethit Durrës, por në fund të tij nuk ka bërë asnjë deklaratë.

Megjithatë, burime jozyrtare nga ekipi i ekspertëve mjeko-ligjorë që kanë ekzaminuar atë që kishte ngelur nga trupi i Isa Çopës, thone se në kafkën e tij janë parë dëmtime që dyshohet të mos jenë shkaktuar nga plumbi, por nga përdorimi i mjeteve të forta mbi të.

Pas ekzaminimit të kryer nga ekspertë të laboratorit të kriminalistikës rezulton se gëzhoja e gjetur në makinën e viktimës i përket armës së  zjarrit, një pistoletë e llojit “Makarov”, që rezulton  të jetë arma e tij e shërbimit.

Megjithatë, do të jetë konkluzioni përfundimtar i grupit të ekspertëve mjeko-ligjorë që do të përcaktojë nëse ishte vetëvrasje apo vrasje.

Ndërkohë, edhe grupi hetimor i drejtuar nga prokurorja Enkeleda Xhengo do të vijojë hetimet për të zbardhur ngjarjen tejet të mistershme dhe të mbushur plot pikëpyetje të mëdha.

Vlerësimi përfundimtar i ekspertizës mjeko-ligjore është deklaruar se do të dalë pas dy javësh. Drejtoria e policisë së qarkut Durrës ndërkohë vazhdon t’i qëndrojë deklaratës së parë që e klasifikon rastin në vetëvrasje, bazuar në hetimet e para dhe veprimet e kryera nga viktima.

Oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror u gjet i djegur brenda automjetit të tij ditën e martë, në një zonë pak të frekuentuar, në veri të qytetit bregdetar të Durrësit.

Top Channel