Një zjarr i fuqishëm ka rënë në një fabrikë të prodhimit të sfungjerëve në afërsi të qytetit të Krujës.

Zjarri ka rënë fillimisht në katin e parë të godinës trekatëshe e më pas është përhapur në gjithë ndërtesën, duke rrezikuar edhe jetën e 80 punëtorëve.

Në tentativë për të dalë nga godina e fabrikës kanë mbetur të plagosur tre punëtorë, të cilët u dërguan me urgjencë në spital.

Zjarrëfikës të Krujës, Durrësit, Laçit dhe Tiranës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arritur ta vënë zjarrin nën kontroll.

Pranë godinës ndodhet edhe një cisternë e madhe gazi, e cila rrezikohej seriosisht. Policia ka evakuar banorët e zonës, ndërsa zjarri rrezikoi edhe ndërtesat përreth fabrikës. Dëmet materiale në godinë janë shumë të mëdha.

Ngjarja në fjalë është e ngjashme me atë të mbrëmjes së të shtunës, ku një zjarr përfshiu një pikë karburanti në autostradën Tiranë-Durrës.

Një saldim i kryer fare pranë depozitave të naftës dhe depozitave të gazit mes fshatit Kashar dhe Domje për pak shkaktoi një katastrofë që fatmirësisht nuk ndodhi falë ndërhyrjes së menjëhershme të dhjetëra forcave zjarrfiksëse dhe policisë.

Nga ky zjarr mbetën të plagosur tre persona, punonjës të pikës së karburantit, të cilët u shoqëruan në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel