Bode: Nuk i prekim taksat

15/10/2011 00:00

Ministri i Financave, Ridvan Bode komenton për herë të parë në një
intervistë për Top Channel zërat që vijnë nga disa ekspertë, kryesisht
të majtë, për braktisjen e taksës së sheshte dhe rikthimin te taksat
progresive, ku të pasurit duhet të paguajnë më shumë.

“Taksës progresive ne i kemi thënë “Jo”. Do të mbetemi të taksa proporcionale. Ne nuk kemi asnjë arsye për të hequr dorë nga sistemi ynë i taksave, i cili tregoi se është shumë nxitës për ekonominë dhe që përballoi me sukses të plotë goditjet e krizës më të tmerrshme, që ka njohur bota në shekullin e fundit”, tha Bode.

Zoti Bode thotë se qeveria do t’i qëndrojë taksave të ulëta për biznesin, pavarësisht presioneve që kriza ka sjellë mbi financat publike.

“Kemi thënë që nuk do të kemi rritje taksash dhe nuk kemi asnjë arsye, asnjë motiv. Nuk mund ta bëjmë për mode, se diku rriten taksat”, theksoi Bode.

Në maj të këtij viti Shqipëria ndërmori për herë të parë në histori një amnisti fiskale, që parashikonte faljen e disa detyrimeve. Por a po shkon ajo ashtu sic e kishte parashikuar qeveria?

“Ne presim, shpresojmë dhe dëshirojmë që gjithnjë e më shumë, pjesës informale, pjesës që duhet të deklarohet të përdorin amnistinë si një rast shumë të përshtatshëm”, tha Bode.

Për shkak të ecurisë së vakët, disa grupime biznesi kanë kërkuar zyrtarisht shtyrjen e afatit të amnistisë, por për qeverinë kjo është e pamundur.

Top Channel