Reformat ekonomike kanë ngecur

13/10/2011 00:00

Bashkimi Europian vëren se reformat për integrimin ekonomik të Shqipërisë thuajse kanë ngecur në vend.

Progres raporti i fundit nënvizon se në pjesën dërrmuese të fushave ekonomike nuk ka patur asnjë progres, ndërsa në ato fusha ku janë bërë përmirësime ato kanë qenë të kufizuara. Cështja më e nxehtë mbetet ajo e pronave. Raporti thotë se  Shqipëria ende nuk po ndërmerr një strategji apo plan kombëtar për të zgjidhur cështjen e pronave që mbetet një nga shqetësimet kryesore për ekonominë duke penguar investimet e huaja, por edhe ato të brendshme.

Ngërci i dytë mbetet ai i korrupsionit dhe zbatimit të dobët të ligjit. Sipas raportit, korrupsioni në vend është i përhapur. Së bashku me fuqinë e dobët e zbatimit të ligjit, të dy këto elementë po vazhdojnë të kenë efekte negative në klimën e biznesit. “Sipërmarrjet në Shqipëri- vëren Bashkimi Europian- vazhdojnë të përballen me shtyrje pafund të proceseve gjyqësore dhe ekzekutim të dobët të kontratave dhe garancive bankare.

Kjo ka bërë që metodat informale të zbatimit të kontratave të jenë të përhapura dhe mungesa e konsensusit politik për ngritjen e gjykatës administrative pengon investitorët. Në fushën e taksave raporti nënvizon përpjekjen e qeverisë për të pajisur bizneset me kasa. Por thotë se vetëm gjysma e ndërmarrjeve i kanë instaluar ato dhe kjo bën që sektori informal i ekonomisë të jetë i madh. Sipas raportit, niveli i lartë i borxhit të qeverisë mbetet një burim dobësie për ekonominë dhe kërkon masa të tjera shtrënguese. Në fushën financiare BE vëren se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar, por tani niveli i lartë i borxheve të këqija po shndërrohen në një arsye për t’u shqetësuar.  

Top Channel