Stankovic: Nuk luaj më për Serbinë

12/10/2011 14:00

Dejan Stankovic i ka dhënë lamtumirën kombëtares së Serbisë pas 102 ndeshjesh të luajtura me përfaqësuesen e vendit të tij, duke barazuar edhe rekordin e Savo Milosevic.

Mesfushori i Interit dha lajmin pas humbjes së Serbisë kundër Sllovenisë në Maribor, në ndeshjen për kualifikueset e Euro 2012. Me këtë humbje Serbia humbi mundësinë për të shkuar në play-off dhe për të luftuar për pjesëmarrjen në fazën finale të europianit.

“Kjo ishte ndeshja ime e fundit me Serbinë. Mbase do të luaj ndonjë miqësore, por e kam mbyllur me ndeshjet zyrtare”, deklaroi 33-vjeçari për mediat serbe.

Edhe Nemanja Vidic, mbrojtësi i Manchester United, tha se tashmë “është koha për një ndryshim brezash në kombëtare”, por nuk saktësoi nëse kjo do të thotë që edhe ai po mendon largimin nga kombëtarja.

Vidic është 30 vjeç dhe ka luajtur 56 ndeshje me kombëtaren e vendit të tij.

Top Channel