Informaliteti ndëshkon buxhetin

29/09/2011 00:00

Rënia e të ardhurave në buxhetin e shtetit, që ka zhytur financat e
qeverisë në vështirësi, ka celur debatin publik se cilat janë shkaqet e
vërteta të kësaj situate.

Një raport i fundit i KLSH-së mbi buxhetin e vitit 2010 hedh për herë të parë dritë se si të ardhurat e qeverisë gërryhen nga evazioni fiskal. Shifra më tronditëse është ajo që ka të bëjë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Sipas të dhënave zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në total në Shqipëri janë të regjistruar 26 mijë e 330 biznese si subjekte që duhet të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Në vitin 2010 paguan TVSH vetëm 5 069 prej tyre ose 19.2 për qind. Kjo do të thotë se gati 81 për qind e bizneseve që janë në skemën vitin e kaluar nuk i paguan buxhetit asnjë lekë Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

Rrugët me të cilat ata i shpëtojnë pagesës së kësaj takse janë disa. Sipas KLSH-së, gati 20 për qind e tyre nuk deklarojnë fare Tatim mbi Vlerën e Shtuar, mbi 29.1 për qind deklarojnë TVSH zero për gjithë vitin dhe pjesa tjetër deklarojnë tepricë kreditore, pra jo vetëm që nuk paguajnë por kërkojnë rimbursim nga shteti.

Fakti që 5 mijë biznese, të cilat kanë detyrim ligjor të deklarojnë në cdo fund vitit Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, është ligjërisht i pashpjegueshëm dhe bën me përgjegjësi direkte administratën, e cila të paktën në këtë pikë sipas ekspertëve ka dështuar totalisht. Por edhe numri jashtëzakonisht i madh i atyre që deklarojnë TVSH zero shton dyshimet se një pjesë e mirë e tyre mashtrojnë me taksat. Vitin e kaluar qeveria uli kufirin e xhiros që përfshin bizneset në skemën e TVSH-së, por paradoksalisht numri i ndërmarrjeve që realisht e paguajnë këtë taksë jo vetëm që nuk u rrit por ra.
 

Top Channel