Korçë, miratohet për herë të dytë buxheti i Bashkisë

25/08/2011 12:45

Këshilli Bashkiak ka miratuar me shumicë votash për herë të dytë buxhetin e Bashkisë së Korçës.

Pasi prefekti e ka kthyer atë për shkak të kundërshtimit në lidhje me kuotën që duhet të depozitojë Bashkia për Këshillin e Qarkut.

Pretendimi i ngritur konsiston në rritjen e vlerës që Bashkia paguan nga 60 në 180 milionë lekë. Vetë kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, e ka konsideruar këtë një bllokim të paarsyeshëm të punës së bashkisë pasi sipas tij nuk ka pse Bashkia e Korçës të kontribuojë për komunat e tjera përmes fondeve të saj, kur kjo shumë mund të përdoret për investime në qytet.

Me shumicë votash të këshilltarëve të majtë edhe këtë herë është miratuar ky buxhet sipas të cilit bashkia do të derdhë 2.5 % të të ardhurave të saj për Këshillin e Qarkut.

Do të jetë institucioni i prefektit ai që do të pranojë depozitimin e kësaj shume ose nisjen e një procesi gjyqësor për të rritur kuotën për Këshillin e Qarkut.

Top Channel