Presidenti i UEFA-s, francezi Mishel Platini, i shoqëruar nga zv.presidenti i FIFA-s, njëkohësisht presidenti i Federatës Spanjolle, Angel Maria Vijar, dhe nga 11 presidentë federatash futbolli në mbarë Europën, përfshirë atë polak, grek, ukrainas, etj., mbërriti për të pestën herë në Shqipëri me rastin e 80-vjetorit të krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, që daton në vitin 1930.
Vizita e tij, përveç pjesëmarrjes në ceremoninë gala të këtij pëvjetori të FSHF-s, kishte si synim madhor, arritjen e marrëveshjes me qeverinë shqiptare për ndërtimin e një stadiumi të ri.
“Kam kënaqësinë t’iu informoj se qeveria shqiptare dhe UEFA, në bashkëpunim me FSHF, do të bëjnë Tiranën me një nga stadiumet më moderne në rajon. Nuk do të jetë më i madhi, por më i bukuri”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.
Për inagurimin e tij kryeministri Berisha beson në realizimin e një tjetër ëndrre, kthimit të Shqipërisë si Montekarlo me zhvillimin e Superkupës Europiane: “Platini po shqyrton mundësinë që ky stadium të inaugurohet me Superkupën e Europës,” u shpreh Berisha.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini u shpreh: “Sapo ju premtoi kryeministri se shumë shpejt do të keni një stadium të ri. Nëse do të keni ekipe që luajnë në Champions League, ato nuk mund të luajnë në këtë stadium. I thashë zotit kryeministër se UEFA do të mbështesë FSHF-në për ndërtimin e këtij stadiumi, rast i rrallë ky për UEFA-n.”
Më herët në këtë vizitë të tij, presidenti i UEFA-s Mishel Platini dhe delegacioni prej 11 presidentësh të tjerë kanë inaguaruar një prej fushave të kompleksit stërvitor të Tiranës, Skënder Halili.
Në këtë inagurim, përveç presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, ishte i pranishëm edhe kreytari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, I cili deklaroi: “Do doja të kujtoja që disa vite më parë, së bashku me Platini ne inauguruam një fushë të vogël futbolli në oborrin e një shkolle. Sot inaugurojmë një fushë të madhe në oborrin e skuadrës më të madhe të Shqiprëisë, Tiranës.”
Pasdite në ceremoninë e festimit të 80-vjetorit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku përveç protagonistëve të historisë së futbollit në Shqipëri, ishte dhe një grup përfaqësues i firmës spanjolle që ka bërë projektin e ri të stadiumit “Qemal Stafa”.
Një projekt ky i krijuar në bazë të tre koncepteve themelore që ka kuptuar kjo firmë në krijimin e projektit. Formën gjeografike të hartës së vendit tonë, relievin e thyer malor dhe ngjyrat kuqezi të flamurit tonë.
Top Channel