“Himara”, politikanët kundër Janullatosit

15/08/2010 16:15

Dy ditë pas deklaratave të forta të Athinës dhe kryepeshkopit Janullatos mbi ngjarjen e rëndë të Himarës, ka reaguar Partia Lëvizja e Legalitetit.

Dy ditë pas deklaratave të forta të Athinës dhe kryepeshkopit Janullatos mbi ngjarjen e rëndë të Himarës, ka reaguar Partia Lëvizja e Legalitetit.

Kryetari Ekrem Spahia tha se aktivizimi i zërave greqishtëfolës nuk është i rastësishëm, por pjesë e një skenari të gatuar, siç tha ai, në guzhinat greke.

“Populli shqiptar ka treguar prej shekujsh se nuk manifeston asnjë urrejtje etnike, përkundrazi në historinë e vjetër e të re ka qënë viktimë e kësaj urrejtjeje që është ushtruar prej kombeve të tjerë, ku Greqia zë një vend kryesor. Genocidi ndaj popullsisë çame, masakra e Peshkëpisë, vrasja e të riut Gramoz Palushi janë shembuj tipikë të urrejtjes greke ndaj kombit shqiptar.  Do të ishte mirë sikur Janullatos të kishte përmendur edhe rastet e mësipërme”, tha zoti Spahia.

Edhe nënkryetari i kësaj partie, Murat Basha, tha se përpjekjet për ta lidhur ngjarjen me motive etnike janë të qëllimshme.

“I kërkojmë policisë dhe drejtësisë të marrin masa dhe të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e kësaj tragjedie, por njëkohësisht dua të shpreh indinjatën time për qëndrimin që po mban shteti grek dhe kryetari i bashkisë zoti Bollano. Duhet bërë e qartë njëherë e mirë për të gjithë se në Shqipëri dhe në Himarë nuk ka minoritet grek”, deklaroi nënkryetari i PLL, Murat Basha.

Krerët e PLL-së i ka kërkuar organeve përgjegjëse të zbardhin sa më shpejt ngjarjen dhe të mos lejojnë cënimin e autoritetit shtetëror në Himarë.

Top Channel