Ramadan Shehu, në stolin e Elbasanit

14/04/2009 08:45

Ramadan Shehu është emëruar në drejtimin e stolit të Elbasanit deri në fund të sezonit. Ai ka zënë vendin e lënë bosh nga Faruk Sejdini, i cili dha dorëheqjen e parevokueshme pas javës së 26-të të Superiores, ku Elbasani humbi 4-1 në shtëpi me Vllazninë.

Tekniku i përfaqësueses Under-19 u prezantua përpara lojtarëve dhe stafit teknik nga kryebashkiaku Qazim Sejdini. Duke parë momentin mjaft delikat ku ndodhet skuadra, ai kërkoi nga të gjithë impenjim maksimal për t’u larguar nga “zona e ftohtë” në klasifikim.

“Jam këtu për të ndihmuar ekipin që të kthehet te rezultatet pozitive”, tha Shehu. “Do të punoj me një kontingjent mjaft cilësor, i cili i ka kualitetet për t’iu larguar zonës së rënies nga kategoria”.

Elbasani nuk fiton prej nëntë javësh në Kategorinë Superiore: gjatë kësaj periudhe skuadra ka regjistruar katër barazime dhe 5 humbje (tri në javët e fundit). Për herë të fundit, Elbasani ka marrë tri pikë të plota në kampionat në javën e 18-të, më datë 31 janar, pas fitores 2-1 në fushën e Teutës. Rezultatet e dobëta kanë bërë që kampionët e përpara tre sezoneve të renditen në vendin e dhjetë, me 27 pikë të grumbulluara në 27 ndeshje.

Top Channel