Shpërndanin drogën vdekjeprurëse në Londër, goditet banda bullgare, katër persona të arrestuar
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po planifikon të rrisë tarifat doganore për mallrat kineze me 20% shtesë, si dhe të vendosë taksa më të larta për importet nga Bashkimi Evropian dhe një sërë partnerësh të tjerë tregtarë.
Sipas Associated Press, propozimi përfshin gjithashtu Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin, Brazilin dhe nëntë vende të tjera. Administrata amerikane argumenton se këto ekonomi kanë nxitur prodhimin e tepërt përmes subvencioneve dhe barrierave tregtare, duke vendosur në disavantazh prodhuesit amerikanë.
Masat janë ende në fazën e propozimit dhe nuk është përcaktuar një afat i qartë për zbatimin e tyre. Ato mbështeten në nenin 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i jep qeverisë amerikane të drejtën të hetojë dhe të reagojë ndaj praktikave tregtare të vendeve të tjera që konsiderohen të padrejta.
Brazili dhe Kina pritet të jenë ndër vendet më të prekura. Për disa produkte kineze, tarifa e re prej 20% do t’u shtohet taksave ekzistuese, duke e çuar nivelin e përgjithshëm në 45%.
Për Brazilin, SHBA-ja propozon rritje të tarifave për sheqerin e papërpunuar dhe atë të rafinuar, si dhe një taksë të re prej 10% për avionët, që do të prekë kompaninë më të madhe braziliane të prodhimit të avionëve, Embraer.
Edhe Vietnami përballet me një tarifë prej 20%, ndërsa për partnerët e tjerë tregtarë nivelet e propozuara variojnë nga 10% në 18%.
Në listën e vendeve të përfshira janë gjithashtu Bangladeshi, Kamboxhia, India, Indonezia, Malajzia, Singapori, Zvicra dhe Tajlanda. Ndërkohë, Meksika dhe Norvegjia janë ende nën hetim.
Kina ka reaguar kundër nismës amerikane. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, deklaroi se lufta tregtare nuk i shërben interesave të asnjërës palë dhe kundërshtoi pretendimet për mbiprodhim të subvencionuar.
Top Channel