Tre avionë të rinj për shuarjen e zjarreve/ Kreu i emergjencave civile zbulon kontratën në Kuvend: Dy mbërrijnë në dhjetor, i treti në mars
Policia e Shtetit ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me Guardia di Finanzia rreth luftës kundër lëndëve narkotike.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dha shifrat për vitin 2026.
Ai tha se janë kryer gjithsej 31 operacione gjatë vitit aktual duke shtuar se u goditën dhjetëra raste të shitjes së drogës si dhe 17 raste kultivimi në ambiente të mbyllura. Ndër të tjera Hita deklaroi se janë asgjësuar 132 mijë bimë kanabisi, ndërkohë që vitin e kaluar numri ishte 17 mijë, ai bëri gjithashtu me dije se nën hetim janë marrë edhe 89 zyrtarë nën hetim për shpërdorim detyre.
Fjala e plotë e Skëndër Hitës:
Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj tradite të rëndësishme dhe tashmë të konsoliduar të bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë, kolegët dhe miqtë tanë italianë.
Kjo tryezë e përvitshme nuk është thjesht një moment formal raportimi, por një platformë me rëndësi të veçantë strategjike, që mundëson vlerësimin me transparencë, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm të rezultateve të arritura në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, gjatë vitit 2026.
Sot jemi së bashku për të prezantuar dhe vlerësuar punën e madhe të bërë përgjatë këtij viti, në luftën kundër kultivimit, prodhimit dhe shitjes së kanabisit.
Periudha e gjatë e bashkëpunimit me Policinë italiane dhe, nëpërmjet saj, me Guardia di Finanza, dëshmon konsolidimin e një qëllimi të përbashkët, ndërtimin e shoqërive më të sigurta, me shkolla të pastra dhe me rini larg fenomeneve që cenojnë shëndetin, jetën dhe të ardhmen e saj.
Pavarësisht traditës së krijuar për të organizuar, në përmbyllje të punës së përbashkët, një konferencë ku prezantohen rezultatet dhe arritjet në parandalimin dhe luftën kundër veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2026, dhe pa dashur të anashkaloj kontributin e askujt, dua të ndalem në disa momente kyçe të kësaj pune të madhe të realizuar bashkërisht.
Lufta kundër paligjshmërive, krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit është pa dyshim, në interes të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe forcimit të sundimit të ligjit. Por lufta kundër kanabisit, kultivimit, prodhimit dhe shitjes së tij merr një kuptim dhe peshë të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me dy faktorë: së pari, me mbrojtjen e nxënësve, që përfaqësojnë të ardhmen e vendit, dhe së dyti, me goditjen e një burimi të rëndësishëm fuqizimi për krimin e organizuar.
Bazuar në këta dy faktorë, angazhimi i strukturave të Policisë së Shtetit ka qenë dhe vijon të jetë i shtrirë në çdo skaj të vendit dhe shumëdimensional, duke përfshirë sensibilizimin e komuniteteve lokale, kontrollin e vazhdueshëm të territorit, si dhe intensifikimin e punës informative dhe hetimore për identifikimin e grupeve kriminale në fushën e narkotikëve dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të organizatorëve dhe financuesve të tyre.
Gjithashtu, hetimet intensive dhe veprimet operacionale, të koordinuara edhe me institucionet e tjera të ngarkuara me përgjegjësi, janë orientuar drejt vënies përpara përgjegjësisë penale, të punonjësve që kanë neglizhuar detyrat që u ngarkon ligji apo janë përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë këtij viti, kapacitetet policore janë orientuar në dy drejtime me ndikim afatgjatë në sigurinë publike.
Në rritjen e forcës parandaluese kundër kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet intensifikimit të pranisë së punonjësve të Policisë në zonat e thella rurale dhe malore, kontrollit të territorit duke përdorur, krahas kontrollit tokësor, edhe 84 dronë, si dhe ndërmarrjes së veprimeve proaktive dhe përdorimit efektiv të teknologjisë.
Integrimi i këtyre elementeve dhe dhënia e përparësisë forcës parandaluese ka mundësuar goditjen që në fazat fillestare, të tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet sekuestrimit të farave të siguruara me qëllim kultivimin, si dhe asgjësimit të fidanëve të kanabisit në kubikë ose të sapombjellë në tokë.
Po përmend vetëm një tregues domethënës të këtij angazhimi parandalues, gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar.
Vetëm kjo shifër dëshmon më së miri orientimin e qartë të strukturave tona drejt parandalimit të kësaj veprimtarie kriminale.
Për sa i përket evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në tërësi, është punuar intensivisht, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe në drejtimin e Prokurorisë, dhe si rezultat janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë.
Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar penalisht 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin.
Njëkohësisht, strukturat e Policisë së Shtetit intensifikuan kontrollet për të evidentuar dhe goditur edhe veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, nëpërmjet përdorimit të llambave, veprimtari e cila u godit në 17 raste.
Për të arritur këto rezultate, nuk ishim vetëm. Besimi i ndërsjellë, i ndërtuar ndër vite me kolegët dhe miqtë tanë të GdF-së, si dhe teknologjia e tyre e avancuar, kanë qenë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit në goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Nëpërmjet 62 misioneve të fluturimit, pra 10 misione më shumë se gjatë vitit të kaluar, ky partneritet model bëri të mundur skanimin e një pjese të konsiderueshme të territorit.
Rritja e këtij efikasiteti krahasuar me vitin 2025, si dhe asistenca në 7 raste, me helikopterë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshmojnë kapacitetet aktuale për të kapërcyer vështirësitë e relievit dhe për të kontrolluar zona të thella malore, të cilat më parë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, konsideroheshin nga financuesit, organizatorët dhe kultivuesit e bimëve narkotike, si oaze ku mund të zhvillonin në fshehtësi veprimtarinë e tyre kriminale.
Duke u mbështetur në intensifikimin e angazhimit policor, partneritetin me qytetarët, profesionalizmin e shkëmbyer me homologët e GdF-së dhe teknologjinë bashkëkohore, në vitin 2027 do të përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale.
Në mënyrë të veçantë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Shkëlqesinë e Tij, ish-ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Fabrizio Bucci, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Policisë së Shtetit, si dhe për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Policisë së Shtetit dhe strukturave homologe italiane. Mbështetja, angazhimi dhe vëmendja e tij ndaj bashkëpunimit në fushën e sigurisë janë një vlerë e shtuar për partneritetin tonë dhe për rezultatet konkrete që kemi arritur së bashku.
Gjithashtu, falënderoj Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, z. Marco Alberti, për kontributin që po jep në forcimin e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve.
Falënderim dhe mirënjohje edhe për kolegët e GdF-së, për seriozitetin, profesionalizmin dhe bashkëpunimin bazuar në besimin reciprok.
Së dyti, në vijim të goditjes së kultivimit dhe prodhimit të bimëve narkotike, angazhimi ynë është përqendruar dhe do të vijojë të përqendrohet në parandalimin dhe goditjen pa kompromis të shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, përfshirë edhe drogat e forta, veçanërisht pranë institucioneve arsimore dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Lufta kundër kanabisit nuk përfundon me parandalimin e kultivimit apo asgjësimin e bimëve narkotike. Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit, duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Ky aspekt, gjatë këtij viti, nëpërmjet porosive të mia të vazhdueshme, ka qenë prioritet absolut i punës së Policisë së Shtetit, në nivel qendror dhe vendor.
Kjo barrierë kryesore mbrojtëse për shoqërinë tonë është ndërtuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, drejtuesit, stafet pedagogjike dhe prindërit, jo vetëm për të mos lejuar përfshirjen dhe penalizimin e një grupmoshe të caktuar, por mbi të gjitha për të parandaluar helmimin e së ardhmes së vendit dhe të pjesës më vitale të tij.
Konkretisht, gjatë vitit 2026, janë finalizuar 31 operacione, gjatë të cilave janë goditur dhjetëra episode të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë në shkolla. Ndër to, veçohen operacionet që kanë pasur ndikim të gjerë në qarqet kryesore të vendit, bazuar në sasinë e lëndëve narkotike të sekuestruara dhe numrin e shtetasve të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale për këtë veprimtari kriminale.
Fokusin dhe vëmendjen prioritare gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit të ardhshëm do ta kenë parandalimi dhe goditja në kohë e çdo tentative për të përfshirë të miturit dhe të rinjtë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për të depërtuar me paligjshmëri në mjediset shkollore.
Ndërkohë, për Policinë e Shtetit, viti 2027 do të vijojë të jetë një sfidë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura gjatë viteve të fundit.
Përpara do të kemi disa zhvillime që kërkojnë angazhim maksimal të strukturave policore, devotshmëri dhe profesionalizëm, veçanërisht për të garantuar ndjekjen dhe menaxhimin e shërbimeve policore, me qëllim ofrimin e parametrave optimalë në fushën e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit, si dhe menaxhimin dhe garantimin e sigurisë gjatë aktiviteteve të rëndësishme, si zgjedhjet vendore, sezoni turistik veror, siguria në shkolla etj.
Duke vlerësuar masat që kemi marrë dhe po zbatojmë, si dhe treguesit e arritur, shpreh bindjen se organizata që drejtoj do të vijojë të konsolidojë dhe thellojë rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke goditur me forcën e ligjit çdo hallkë të kësaj veprimtarie kriminale, që nga financimi dhe kultivimi i tyre, deri te shitja e trafikimi.
Dua të garantoj të gjithë qytetarët dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, është e motivuar dhe e angazhuar maksimalisht për të goditur krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti
Top Channel