Një tjetër aksident në Sarandë, makina përplas këmbësorin, 31-vjeçari dërgohet në spital

10/11/2026 18:23

Pas aksidentit në Qafë Gjashtë mesditën e kësaj të marte që pati vetëm dëme materiale, një tjetër aksident është regjistruar pak minuta më parë në hyrje të Terminalit të autobusëve në Sarandë.

Automjeti me targë AB139YP me drejtues shtetasin Xhuljano Isufi, në momentin  që po hynte për në qytet te Terminali ka përplasur një këmbësor, i cili ishte duke kaluar nga njeri krah i rrugës për në krahun tjetër me drejtim Terminalin.

Personi në fjalë është ndihmuar menjëherë nga qytetarët që ndodheshin në Terminal. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë thënë se ai ka patur plagë në ballë pasi ishte i gjakosur.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar shërbimi i qarkullimit rrugor dhe ambulanca. Sipas informacionit nga qarkullimi rrugor, i dëmtuari është shtetasi Hysen Riad, 31 vjeç me origjinë egjiptiane.

Ndërkohë bëhet e ditur se po punohet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.  Ndërsa 31-vjeçari egjiptian Hysen Riad ndodhet nën kujdesin e mjekëve në urgjencën e spitalit,  tek i cili po kryhen gjithë kontrollet mjekësore, ndërsa është jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel