Me taksi nga Tirana drejt Mamurrasit për të shitur kokainë, i dështon plani 31-vjeçarit, policia e kap në flagrancë

23/10/2026 10:49

Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se po transportonte lëndë narkotike kokainë me një automjet taksi nga Tirana drejt Mamurrasit, me qëllim shitjen e saj.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Destinacioni”, të finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit.

Në pranga ra shtetasi Salvador Sula, 31 vjeç, i lindur në Sarandë dhe banues në Tiranë.

Pas marrjes së informacionit për transportimin e lëndës narkotike, shërbimet e Policisë organizuan ndërhyrjen dhe ndaluan automjetin taksi në aksin e vjetër Mamurras-Thumanë, në kryqëzimin e Fushë-Mamurrasit.

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 109 gramë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel