U paraqit sot në SPAK, peshëngritësi Erkand Qerimaj sqaron arsyen e vizitës në Prokurorinë e Posaçme
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar në lidhje me protestat e mbajtura në Tiranë.
Në një deklaratë publike, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shpreh shqetësimin e thellë të anëtarëve të saj lidhur me zhvillimet e fundit në vend.
Në këtë deklaratë thuhet se garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve, e pronës publike dhe private, respektimi i shtetit të së drejtës dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm kërkojnë angazhim dhe veprim të koordinuar nga institucionet përkatëse.
“Të gjithë aktorët kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të ndihmojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime mund të trajtohen nëpërmjet mekanizmave demokratikë.
Dhoma thekson gjithashtu se situata aktuale duhet parë në kontekstin më të gjerë të sfidave me të cilat përballet mjedisi i biznesit në Shqipëri. Prej vitesh, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka bashkëpunuar aktivisht me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozuar ndryshime në projektligje, akte nënligjore dhe masa të tjera rregullatore që ndikojnë te komuniteti i biznesit.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë nga shqetësimet dhe rekomandimet e anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe shqyrtimin e duhur. Konsultimi efektiv me komunitetin e biznesit është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme, forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimesh të parashikueshme dhe konkurruese.
Edicioni më i fundit i indeksit të biznesit të Dhomës, AmCham Business Index 2025–2026, evidentoi gjithashtu sfidat me të cilat përballen bizneset, përfshirë korrupsionin, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe ekonominë informale, si dhe një përkeqësim të ndjeshëm të perceptimit mbi klimën e biznesit.
Këto sfida të vazhdueshme rëndohen më tej nga pasiguria që është krijuar. Sipas raportimeve që kemi marrë, shumë biznese kanë pësuar dëme dhe ndërprerje të veprimtarisë së tyre, ndërsa kanë raportuar se janë ndier të pambrojtura nga institucionet përgjegjëse. Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vazhdimësia e aktivitetit të tij.
Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, duke sjellë pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi. Po aq shqetësues është fakti se pasiguria lidhur me mbrojtjen e njerëzve dhe të pronës mund të dëmtojë besimin e investitorëve vendas dhe të huaj, duke ndikuar në vendimet e tyre për të investuar në Shqipëri”, thuhet më tej.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri i bën thirrje Qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës aktuale.
“Veprimi i menjëhershëm, i koordinuar dhe i përgjegjshëm është thelbësor për të ulur tensionet, për të garantuar sigurinë publike, për të mbrojtur njerëzit dhe pronën publike e private, si dhe për të siguruar vazhdimësinë e veprimtarisë së bizneseve.
Të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë duhet të kontribuojnë në këtë përpjekje të përbashkët përmes dialogut konstruktiv dhe angazhimit efektiv, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së Shqipërisë”, ,mbyllet deklarata.
Top Channel