“Situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit”/ Ministria e brendshme: Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve

19/10/2026 18:24

Zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, ka deklaruar se situata gjatë protestës në Tiranë është nën kontroll, pavarësisht akteve të dhunës dhe sulmit ndaj Gjykatës së Apelit.

Ajo u ka bërë thirrje të rinjve të largohen nga dhuna, ndërsa ka paralajmëruar se shkeljet e ligjit mund të sjellin përgjegjësi penale, edhe për të miturit, në përputhje me moshën dhe veprën e kryer.

Në një deklaratë, Ruseti theksoi se Policia e Shtetit vijon detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa nënvizoi se e drejta për të protestuar nuk i përjashton individët nga përgjegjësia për veprime të dhunshme.

“Dua të theksoj se, pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Megjithatë, disa të rinj vijojnë të përfshihen në veprime të dhunshme. Për këtë arsye, sot u drejtohemi atyre dhe familjeve të tyre me një mesazh të qartë mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve. Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese.

Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë.

Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë. Interesi më i lartë i fëmijës, e drejta për mbrojtje dhe trajtimi me dinjitet do të udhëheqin çdo veprim institucional të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të shtetit shqiptar.

Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, të parandalojmë dëmtimin e të miturve dhe përfshirjen e mëtejshme të tyre në veprimtari të kundërligjshme.

Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi”, tha zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti.

Top Channel