Pas Fierit dhe Gjirokastrës, tjetër alarm për bombë në institucionet e drejtësisë, këtë herë në Gjykatën e Durrësit

19/10/2026 13:33

Një mesazh kërcënues për vendosjen e lëndëve shpërthyese ka shkaktuar alarm në Fier.

Godinat e Gjykatës dhe Prokurorisë janë evakuuar, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe po kryen kontrolle për verifikimin e kërcënimit.

Paralelisht, vijojnë hetimet për identifikimin e autorit të mesazhit. Kërcënimi me e-mail është bërë në rreth 140 adresash institucionesh në vend.

Po ashtu alarm për bombë është dhënë edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër. Alarmi për vendosjen e bombës është përcjellë mëngjesin e sotëm përmes një emaili anonim në adresën e postës elektronike të kësaj gjykate, bën me dije korrespondentja e Top Channel Entjola Budo.

Sapo autoritetet e gjykatës kanë informuar Policinë Vendore, specialistët e Kibernetikës në këtë polici kanë shkuar në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun në këtë gjykatë, në të cilën kishte mbërritur emaili kërcënues, dhe i kanë marrë kallëzimin personit që merret me administrimin e postës elektronike në këtë gjykatë.

Po vijojnë hetimet për zbulimin e origjinës së dërgimit të emailit anonim. Ky është kërcënimi i dytë për vendosjen e një bombe në këtë gjykatë, pas atij të datës 9 tetor.

Po ashtu një e-mail kërcënues ka mbërritur paraditen e sotme edhe në Gjykatën e Durrësit, ku pretendohet se brenda ndërtesës ishte vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni.

Në mesazhin kërcënues, autorët paralajmëronin gjithashtu një seri sulmesh terroriste në territorin e vendit, duke përdorur edhe gjuhë fetare dhe kërcënime për ndryshimin e rendit politik dhe vendosjen e sheriatit.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni”, thuhet në e-mailin e dërguar.

Ky është një tjetër kërcënim i mbërritur në institucionin e drejtësisë në Durrës, duke ngritur shqetësime për sigurinë e godinës dhe të personave që ndodhen brenda saj.

Top Channel