LIVE/ Protestë në disa qytete, përplasje me policinë në Lezhë e Tiranë. Burg një prej të arrestuarve, bizneset ulin qepenat, Ambasada e Izraelit ‘mbyll’ derën, Rama: S’ka forcë në botë që e rrëzon më Shqipërinë
Protesta e nxënësve në qytetin e Lezhës ka përshkallëzuar në përplasje me policinë, ku mbetën të plagosur dy efektivë dhe një nxënëse.
Protesta nisi rreth orës 08:30 pranë gjimnazit “Hydajet Lezha”, ku disa nxënës u mblodhën për të protestuar në qytet.
Fillimisht, protestuesit iu drejtuan godinës së Bashkisë, por nuk arritën të çanin kordonin policor. Më pas, ata lëvizën në rrugët e qytetit, ku dëmtuan kangjellat anësore të rrugëve dhe tabelat e sinjalistikës rrugore.
Gjatë marshimit, protestuesit thyen gjithashtu xhamat e gjimnazit “Hydajet Lezha”, të shkollës profesionale “Kolin Gjoka” dhe të një gjimnazi jopublik. Po ashtu, godina e Komisariatit të Policisë Lezhë u godit me gurë.
Marshimi vijoi drejt rrethrrotullimit të Shkodrës, ku protestuesit dogjën disa kartona. Më pas, nxënësit u rikthyen pranë Bashkisë, duke tentuar sërish të çanin kordonin policor për t’u afruar te godina.
Në këtë moment nisën përplasjet me uniformat blu, të cilat u goditën me gurë dhe sende të forta. Si pasojë, dy efektivë policie mbetën të plagosur dhe u transportuan drejt Spitalit të Lezhës.
Gjatë përplasjes, edhe një nxënëse u plagos në kokë nga gurët që hidheshin në drejtim të policisë.
Të tre të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Lezhës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Situata u shoqërua gjithashtu me tensione dhe shoqërime të disa gjimnazistëve nga policia.
Top Channel