Erald Kapri publikon videon e të riut pas shoqërimit në polici: U terrorizua nga dhuna në furgon

16/10/2026 19:37

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka publikuar në rrjetet sociale një video të një të riu, për të cilin pretendon se është dhunuar në furgonin e policisë gjatë protestës në Tiranë.

Në reagimin e tij, Kapri shkruan se i riu nuk kishte kryer asnjë akt dhune, por ishte shoqëruar nga policia teksa ndodhej në protestë.

Sipas deputetit, i riu ishte i terrorizuar nga ajo që kishte përjetuar gjatë transportimit me furgonin e policisë.

Kapri bën me dije se, pas disa orësh, së bashku me kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, arritën ta nxirrnin të riun nga komisariati. Ai pretendon se dhuna ishte ushtruar gjatë transportimit me furgonin e policisë dhe jo brenda ambienteve të komisariatit.

“I riu qan si fëmijë, i terrorizuar nga dhuna në furgonin e policisë! Nuk kishte bërë asgjë. Asnjë akt dhune. Zero! Thjesht kishte dalë në protestë dhe e kishin rrëmbyer mes turmës.

Pas disa orësh, bashkë me kryetarin Agron Shehaj, arritëm ta nxjerrim nga komisariati. Brenda komisariatit nuk e kishin prekur. Dhuna ishte ushtruar në furgonin e policisë. E shoqërova personalisht në shtëpi mbrëmë pas mesnate dhe jam ende i tronditur nga gjendja e tij. U mendova gjatë nëse duhej t’i publikoja këto pamje. Janë shumë të rënda dhe si prind, më kanë tronditur thellë. Por si ligjvënës kam detyrimin t’u tregoj shqiptarëve të vërtetën.

Duhet ta shohin se çfarë po u ndodh të rinjve që dalin në protestë.  Dhe mbi të gjitha, këto pamje duhen bërë publike që askush të mos guxojë më të ngrejë dorë mbi një të ri të pambrojtur!

Ata që kanë ushtruar dhunë, me uniformë apo të maskuar si civilë, duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi para ligjit”, shkruan Kapri.

Top Channel