Mblidhen sërish protestuesit në Elbasan, policia në gatishmëri
Dorian Puka, i dënuar disa herë për vjedhje, humbi apelin kundër dëbimit. Gjykata nuk pranoi pretendimet e tij se jeta në Shqipëri i rrezikohej nga një bandë kriminale.
Shtetasi shqiptar, i identifikuar si Dorian Puka, 32 vjeç, pritet të dëbohet për herë të pestë nga Britania e Madhe, pasi gjykata rrëzoi kërkesën e tij për të qëndruar në vend me argumentin se jeta e tij do të ishte në rrezik nëse kthehej në Shqipëri.
Lajmi është raportuar nga gazeta britanike “Daily Mail”, e cila shkruan se Puka është dënuar katër herë me burg për vjedhje dhe vepra të tjera penale, ndërsa pas çdo dënimi është kthyer në Shqipëri përmes dëbimit, për t’u rikthyer më pas në mënyrë të paligjshme në Britani.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga gazeta britanike, Puka mbërriti për herë të parë në Britani në vitin 2012 ose 2013, kur ishte ende adoleshent.
Në janar të vitit 2016, ai u dënua me nëntë muaj burg për vjedhje, por u dëbua drejt Shqipërisë pas vetëm një muaji vuajtje dënimi. Më 3 nëntor të po atij viti, ai u shpall sërish fajtor për vjedhje dhe u dënua me dy muaj burg, ndërsa u kthye në Shqipëri pas 20 ditësh.
Pas një tjetër rikthimi të paligjshëm, ai u arrestua më 17 nëntor 2017. Këtë herë, u dënua për vjedhje, vjedhje të tjera pasurore dhe shkelje të rregullave të drejtimit të automjeteve, duke marrë një dënim prej 42 muajsh burg. Më 20 dhjetor 2018, ai u dëbua sërish në Shqipëri.
Megjithatë, sipas kronikës së “Daily Mail”, Puka u rikthye përsëri në Britani dhe në gusht 2019 u arrestua për drejtim të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa të drejtë dhe mbajtje të mjeteve për kryerjen e vjedhjeve. Ai u dënua me 18 muaj burg dhe u dëbua më 29 korrik 2020.
Sipas deklarimeve të tij në gjykatë, Puka hyri për herë të fundit ilegalisht në Britani më 15 tetor 2021. Në dhjetor 2022, ai kërkoi leje qëndrimi, ndërsa në korrik 2023 paraqiti kërkesë për azil.
Autoritetet britanike e refuzuan kërkesën e tij në shtator 2024, vendim kundër të cilit ai apeloi.
Gjatë seancës gjyqësore, shqiptari pretendoi se kishte mbërritur në Britani në moshën 13-vjeçare dhe se ishte përfshirë në veprimtari kriminale pasi ishte detyruar nga një bandë e fuqishme shqiptare të kryente vjedhje. Ai pretendoi gjithashtu se, pasi kishte tentuar të shkëputej nga grupi kriminal, ai dhe familja e tij ishin bërë objektiv i kërcënimeve.
Sipas versionit të tij, sa herë që kthehej në Shqipëri pas dëbimit, mësonte se anëtarët e bandës po e kërkonin dhe largohej sërish brenda dy ose tri javësh.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Brendshme britanike, Khdeeja Khan, kundërshtoi këto pretendime, duke theksuar se nuk kishte prova që mbështesnin rrezikun e pretenduar dhe se Puka nuk kishte raportuar kërcënime në polici, as në Shqipëri dhe as në Britani.
Gjykatësi Ravinder Bagral nuk i pranoi pretendimet e shqiptarit se ishte detyruar të kryente krime nga një bandë kriminale apo se vazhdonte të ishte në rrezik prej saj.
Në vendimin e tij, gjykatësi arriti në përfundimin se nuk ishte provuar se anëtarët e bandës e kishin kontrolluar ose detyruar Pukën të kryente vepra penale, se ai ishte rrëmbyer apo se ishte gjurmuar vazhdimisht në Shqipëri ose në vende të tjera të Europës.
Gjykata gjithashtu nuk gjeti prova bindëse se grupi kriminal vazhdonte të kishte interes të dëmshëm ndaj tij apo se ai përballej me rrezik për shkak të një konflikti gjakmarrjeje.
Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk kishte rrethana bindëse që mund të mbizotëronin mbi interesin e rëndësishëm publik për dëbimin e tij.
“Daily Mail” kundërshtoi anonimitetin
Një tjetër zhvillim i çështjes lidhet me përpjekjen për të mbajtur të fshehtë identitetin e Pukës gjatë procedurave gjyqësore.
Sipas gazetës britanike, avokatët e tij kishin bindur fillimisht gjykatën që t’i garantonte anonimitet, me argumentin se publikimi i vendndodhjes së tij mund ta vinte në rrezik.
Megjithatë, “Daily Mail” kundërshtoi vendimin, duke vënë në dukje se Puka kishte publikuar në rrjetet sociale një video të filmuar brenda qendrës së gjykatës së emigracionit Taylor House, në Londër.
Gjykatësi pranoi argumentin se vetë shqiptari e kishte bërë publike praninë e tij në atë institucion dhe hoqi urdhrin e anonimitetit.
Gazeta raporton gjithashtu se Puka kishte tërhequr vëmendje në rrjetet sociale duke publikuar fotografi ku shfaqej me makina luksoze, në ambiente nate dhe duke ushqyer qentë me kartëmonedha.
Rrëzimi i apelit i hap rrugën dëbimit të tij të pestë nga Britania e Madhe, sipas raportimit të “Daily Mail”.

Top Channel