Dhuna e policëve ndaj protestuesve, drejtuesi i Policisë së Shtetit: Nga dhuna duhet të distancohemi, kanë mbështetje për…

15/10/2026 16:08

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, doli sot në një konferencë për median, ku u shpreh se ‘çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit’.

“Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.

Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.

Çdo orë shtesë shërbimi do t’ju njihet dhe  do kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.

Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.

Ndërkohë u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit.

Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.

Dhe për këdo që mendon se mund të imponojnë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:

Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!

Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim”, tha Hita në fjalën e tij.

Top Channel