Iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, përfundon me sukses operacioni i Papa Leone XIV

13/10/2026 21:29

Ndërhyrja kirurgjikale në mushkëri, së cilës iu nënshtrua Papa Leone XIV në spitalin Gemelli të Romës, ka përfunduar me sukses, brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar. Pas operacionit, Ati i Shenjtë është kthyer në dhomën e tij të spitalit, njoftoi Salla e Shtypit e Vatikanit.

Papa, emri i të cilit është Robert Francis Prevost, iu nënshtrua ndërhyrjes për heqjen e një nyjëze në mushkëri. Operacioni u krye nga ekipi i kirurgjisë, i drejtuar nga profesori Stefano Margaritora.

Mediat italiane shkruajnë se, Atij i Shenjtë u largua nga Vatikani rreth orës 13:00 të së martës, më 13 tetor, përmes Portës së Perugino-s, duke përshëndetur personat e pranishëm.

Me të mbërritur në spitalin Gemelli, Papa zbriti nga automjeti dhe hyri përmes hyrjes kryesore të kompleksit spitalor, ku u përshëndet nga shumë njerëz që e prisnin në sheshin përpara ndërtesës. Ai u shfaq i qetë, i buzëqeshur dhe i prekur nga përzemërsia e njerëzve.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu shpresën se problemi shëndetësor i Papës do të zgjidhet sa më shpejt.

“E takova Papën mbrëmjen e djeshme dhe biseduam me shumë qetësi. Ai është një shembull i madh edhe në këtë drejtim”, deklaroi Parolin për gazetarët, në margjinat e një aktiviteti në Universitetin Papnor Gregorian.

Kardinali theksoi se të gjithë ishin prekur nga qetësia me të cilën Papa kishte njoftuar për praninë e nodulit në mushkëri.

“Jemi në fillim të kësaj vështirësie dhe shpresojmë që problemi të zgjidhet sa më shpejt. Jemi optimistë dhe e shoqërojmë me lutjet tona”, shtoi ai.

Masa të posaçme sigurie në spital

Sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, për shtrimin e Papës në spital është përgatitur një plan i posaçëm sigurie. Masat përfshijnë kontrollin e hyrjeve dhe daljeve, si dhe përdorimin e kodeve alfanumerike ose pseudonimeve në regjistrimin e analizave, me qëllim mbrojtjen e privatësisë së Papës.

Sipas të njëjtit burim, Leone XIV nuk po qëndron në apartamentin e rezervuar për Papët, pasi ai është në proces rikonstruksioni, por në një hapësirë tjetër në katin e dhjetë të spitalit.

Kjo zonë është izoluar nga pjesët e tjera të kompleksit spitalor dhe hyrja lejohet vetëm me autorizimin e Prefekturës së Shtëpisë Papnore.

Vatikani bëri të ditur se do të japë informacione të tjera për gjendjen e Papës në vijim.

Top Channel