Çmimi Nobel për Paqen, vlerësohen përpjekjet për promovimin e paqes dhe të së drejtës ndërkombëtare
Colleen Slemmer u largua nga Florida drejt Tennessee për të ndjekur ëndrrën e saj për të studiuar teknologjinë, por jeta e saj u ndërpre tragjikisht në janar të vitit 1995.
E reja 19-vjeçare u torturua dhe u vra nga shoqja e saj e klasës, Christa Pike, e cila u dënua me vdekje në vitin 1996. Pas dështimit të ekzekutimit të saj të planifikuar së fundmi, nëna e viktimës thotë se vëmendja është përqendruar te autorja e krimit, ndërsa vajza e saj po harrohet.
Colleen Slemmer ishte vetëm 19 vjeçe kur u vra në Knoxville, Tennessee, tre muaj pasi ishte zhvendosur nga qyteti i saj i lindjes, Orange Park, në Florida, për të ndjekur studimet në fushën e informatikës përmes programit federal Job Corps, që ndihmon të rinjtë të përgatiten për tregun e punës.
Në janar të vitit 1995, shoqja e saj 18-vjeçare, Christa Pike, e joshi drejt një zone të izoluar jashtë kampusit, ku, së bashku me të dashurin e saj, e torturoi dhe e vrau. Edhe i dashuri i Pike u dënua për përfshirjen në krim.
Pike u dënua me vdekje në vitin 1996. Pavarësisht përpjekjeve të avokatëve të saj për ta ndryshuar dënimin, ekzekutimi u planifikua për javën e kaluar. Por përpjekja për ekzekutimin dështoi dhe Pike mbeti gjallë, duke rikthyer vëmendjen te rasti dhe te pasojat që ai ka lënë te familja e viktimës.
Nëna e Colleen, May Martinez, e cila udhëtoi nga Florida drejt Nashville për të qenë e pranishme në ekzekutim, thotë se vajza e saj është lënë në hije nga vëmendja që po merr autorja e krimit.
“Kriminelët marrin kaq shumë vëmendje. Pse? Ajo ka humbur në gjithë këtë histori… është harruar”, u shpreh Martinez për televizionin WBIR, bashkëpunëtor i CNN.
Kush ishte Colleen Slemmer?
Familjarët dhe miqtë e kujtojnë Colleen si një vajzë të dashur, të kujdesshme dhe të apasionuar pas teknologjisë. Ajo ishte rritur në Orange Park, Florida, me nënën, njerkun dhe motrën e saj të vogël.
Që në fëmijëri, ajo kishte treguar një prirje të veçantë për t’u kujdesur për të tjerët, sidomos për fëmijët. Sipas nënës së saj, Colleen pëlqente të kujdesej për fëmijët dhe të kalonte kohë me ta, një pasion që lidhej edhe me faktin se Martinez kishte drejtuar një çerdhe për 40 vjet.
“Colleen i donte aktivitetet. Kujdesej për fëmijët dhe i pëlqente të bënte gjithçka që kishte të bënte me ta”, tregoi nëna e saj për WVLT.
Përkushtimi i saj shtrihej edhe në komunitet. Colleen kishte dalë vullnetare në aktivitetet e Olimpiadës Speciale dhe kishte ndihmuar fëmijë me aftësi të kufizuara dhe me autizëm. Sipas Martinez, gjatë pushimit të drekës, ajo kalonte kohë me ta, i ushqente dhe luante me ta.
Mësuesit e përshkruanin si një vajzë të qetë dhe të ëmbël, ndërsa familjarët vlerësonin pavarësinë dhe dëshirën e saj për të ndërtuar një karrierë në fushën e kompjuterëve.
“Ajo ishte e apasionuar pas kompjuterëve. Ajo dhe bashkëshorti im i ndërtonin dhe i çmontonin vazhdimisht”, kujtoi Martinez për Associated Press.
Nëna e saj tha gjithashtu se Colleen u besonte njerëzve, një cilësi që, sipas saj, në fund u kthye në dobësinë e saj më të madhe.
Telefonata e fundit me nënën
Natën kur u vra, Colleen kishte folur për herë të fundit me nënën e saj. Telefonata ishte e shkurtër për shkak të sinjalit të dobët. Kur Martinez u përpoq ta telefononte sërish, vajza nuk u përgjigj.
Ish-shefi i policisë së Knoxville, Phil Keith, i cili mbante këtë detyrë kur Pike u dënua, tha se detajet e krimit i kanë mbetur të ngulitura në kujtesë.
“Kam parë shumë gjëra dhe ato janë ngulitur në trurin dhe kujtesën time. Nuk do t’i harroj kurrë”, u shpreh ai për WVLT.
Ekzekutimi dështoi, nëna kërkon drejtësi
May Martinez dhe bashkëshorti i saj udhëtuan nga Florida drejt Nashville për të ndjekur ekzekutimin e Pike. Në sallën ku ishin mbledhur dëshmitarët, ajo mbante në duar një fotografi të vajzës së saj.
Por, pasi perdet e dhomës së ekzekutimit u mbyllën dhe dëshmitarëve iu kërkua të largoheshin, Martinez u njoftua se Pike ishte dërguar në spital. Diçka kishte shkuar keq gjatë procedurës dhe më vonë nëna mësoi se e dënuara kishte mbijetuar.
Martinez tha për televizionin WTLV se ndihet sikur shteti e ka zhgënjyer familjen e saj.
“Besoj se shteti më detyrohet një kërkimfalje të madhe”, u shpreh ajo lidhur me dështimin e ekzekutimit.
Edhe banorë të tjerë të Tenesit kanë shprehur pakënaqësi për kostot që lidhen me çështjen dhe për vëmendjen e vazhdueshme ndaj Pike, duke theksuar se viktima nuk duhet të mbetet në harresë.
Për Martinez, dhimbja nuk është zbehur me kalimin e viteve. Ajo thotë se nuk ka asnjë ditë dhe asnjë minutë që të mos mendojë për vajzën e saj.
“Festat janë më të vështirat”, tha ajo për “Associated Press”.
Familja e Colleen shënoi muajin e kaluar ditëlindjen e saj. Nëse do të ishte gjallë, ajo do të kishte mbushur 51 vjeçe.
Përtej zhvillimeve rreth dënimit të Christa Pike, nëna e Colleen kërkon që vajza e saj të kujtohet për atë që ishte: një e re me ëndrra, e dashur për fëmijët dhe e apasionuar pas teknologjisë, jeta e së cilës u ndërpre në mënyrë tragjike.
Top Channel