Arrestohet 45-vjeçari në Cërrik, akuzohet për zjarrvënien në një supermarket

08/10/2026 16:20
foto ilustruese

Në pranga është vënë një 45-vjeçar, i identifikuar me inicialet A. M., banues në Cërrik, i dyshuar si autor i zjarrvënies.

Policia ka zbardhur brenda pak orësh zjarrvënien e qëllimshme në një supermarket në lagjen nr. 3 të Cërrikut, ngjarje e ndodhur mëngjesin e sotëm.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 07:30 të datës 8 tetor 2026, kur policia u njoftua se në ambientet e një supermarketi në lagjen nr. 3 ishte vënë qëllimisht zjarr.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik shkuan në vendngjarje dhe nisën veprimet operative dhe procedurale për identifikimin e autorit. Si rezultat, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe kapja e 45-vjeçarit.

Si pasojë e flakëve, u dogjën produkte të supermarketit, ndërsa u rrezikuan edhe punonjësit që ndodheshin në subjekt në momentin e ngjarjes.

Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

45-vjeçari dyshohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Top Channel