Vrau me thikë ish-të dashurën 23 vite më të re, autori flet për herë të parë: Kujtimi i Pamelës do të mbetet i pashlyeshëm në zemrat tona

07/10/2026 10:08

52-vjeçari Gianluca Soncin, i akuzuar për vrasjen e Pamela Geninit në Milano, kërkoi falje gjatë seancës gjyqësore. Nëna e viktimës i cilësoi deklaratat si ‘fjalë prej plastike’ dhe tha se ato janë shumë të vonuara.

Soncin vrau 29-vjeçaren më 14 tetor të vitit të kaluar në Milano. Ndërkohë para se të dëgjoheshin dëshmitarët, 52-vjeçari kërkoi të bënte deklarata spontane.

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe dhe trishtimi të thellë, i kërkoj falje familjes së Pamelës. Që nga ajo ditë, jetët tona kanë ndryshuar thellësisht”, deklaroi ai.

52-vjeçari shtoi se e kupton peshën e veprimeve të tij dhe se e di që falja nuk mund të kërkohet apo të imponohet.

“E di që falja nuk mund të pretendohet. E kuptoj peshën e veprimeve të mia dhe kujtimi i Pamelës do të mbetet i pashlyeshëm në zemrat tona. Nuk më mbetet veçse të përballem deri në fund me pasojat e dhimbjes që kam shkaktuar, me përgjegjësi”, tha ai.

Fjalët e Soncinit janë kundërshtuar menjëherë nga përfaqësuesi ligjor i nënës së Pamela Geninit, avokati Nicodemo Gentile. Ai tha se deklaratat e të akuzuarit duhet të “refuzohen” dhe i cilësoi ato si të vonuara.

Sipas avokatit, ato janë “fjalë prej plastike, pa kuptim, që nuk ndryshojnë asgjë”.

“Janë shumë të vonuara. Ai duhej t’i pranonte faljet që Pamela i kërkonte kur ai e tërhiqte zvarrë nga flokët drejt ballkonit dhe ajo i lutej të mos e vriste. Aty duhej të ndalej”, deklaroi Gentile gjatë pushimit të seancës.

Ngjarja që tronditi Milanon

Pamela Genini u vra në apartamentin e saj në rrugën Iglesias në Milano. Sipas akuzës, Soncin e goditi me thikë ndërsa policia po përpiqej të hynte në banesë.

Procesi gjyqësor ndaj 52-vjeçarit vijon në Itali, ndërsa gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarët dhe të shqyrtojë provat e mbledhura për ngjarjen.

Top Channel