Distancimi i Trump nga LaCivita dhe Blair, NYT: Lëvizja e presidentit erdhi pas përfshirjes së dy konsulentëve me partinë e Dodik në Bosnje

07/10/2026 22:44

Presidenti Donald Trump u distancua sot nga puna që dy prej këshilltarëve të tij kryesorë, të cilët po ndihmojnë në drejtimin e strategjisë së operacionit politik të Trump për zgjedhjet e mesmandatit, kryen javën e kaluar për qeverinë pro-ruse të Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë.

Trump shkroi në rrjetet sociale se këshilltarët, James Blair dhe Chris LaCivita, shërbejnë si “konsulentë të jashtëm” për operacionin e tij politik. Ai shtoi se nuk kishte “asnjë ide se për kë tjetër punojnë, por, pas reflektimit, do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt interesi, do t’i shkarkoj menjëherë!”.

Postimi i Trump, vetëm disa javë para zgjedhjeve të mesmandatit, dukej se ishte një reagim ndaj një raportimi të fundit të The New York Times.

Raportimi zbuloi se Blair dhe LaCivita ishin paguar secili me qindra mijëra dollarë për t’i ofruar këshillim qeverisë së Republika Srpska-s lidhur me çështjet e votimit për zgjedhjet e zhvilluara atje të dielën.

Republika Srpska është një territor i vogël vetëqeverisur, i përcaktuar nga Marrëveshja e Paqes së Dejtonit, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1995, si një prej dy njësive politike të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Blair dhe LaCivita u paguan nga një studio ligjore me bazë në Uashington, e cila ishte angazhuar nga qeveria e Republika Srpska-s për të ofruar këshillim mbi çështjet e votimit. Këshilltarët politikë nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse e kishin diskutuar punën e tyre në Ballkan me Trump apo nëse kishin ndërmend të ndërprisnin punën e tyre si konsulentë të jashtëm.

Kur Shtëpisë së Bardhë iu kërkua të sqaronte nëse presidenti kishte diskutuar për këtë çështje me këshilltarët, një zëdhënës i saj iu referoi gazetarëve postimin e Trump në rrjetet sociale. Pak pas postimit, Trump dha një përgjigje jo përfundimtare kur u pyet nga një gazetar tjetër nëse kishte konflikt interesi.

“Nëse do të mendoja se kishin konflikt interesi, do t’i shkarkoja, por ata janë vetëm konsulentë”, tha presidenti.

Angazhimi në Republika Srpska është shembulli më i fundit i këshilltarëve të Trumpit që përfitojnë financiarisht nga politikanë të ekstremit të djathtë jashtë vendit, të cilët kanë kërkuar favorin e presidentit amerikan, ndërsa sfidojnë komunitetin ndërkombëtar.

Por puna e Blair dhe LaCivita në Republika Srpska ka shkaktuar kritika edhe nga republikanë, të cilët sugjeruan se ajo tregoi mungesë angazhimi nga anëtarët e ekipit të Trump për të ndihmuar partinë e tij të shmangë humbje dërrmuese në zgjedhjet e mesmandatit.

Një zëdhënës i MAGA Inc., super-PAC i mbështetur nga Trump, të cilin Blair dhe LaCivita po e drejtojnë ndërsa shpenzon shuma të mëdha për të mbështetur republikanët në zgjedhjet e mesmandatit, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Zëdhënësi i kishte thënë më parë The New York Times se konsulentët vazhdonin angazhimin e tyre në punën për super-PAC-un, edhe pse javën e kaluar udhëtuan drejt Republika Srpska-s për zgjedhjet e së dielës. Ata u kthyen në Shtetet e Bashkuara të hënën.

Blair, i cili ishte drejtor politik i fushatës së Trumpit në vitin 2024, u largua në pranverë nga posti i zëvendës shefit të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë për të drejtuar MAGA Inc. LaCivita, bashkëdrejtues i fushatës së Trumpit në vitin 2024, është këshilltar i lartë i MAGA Inc.

Partia nacionaliste pro-ruse që kontrollon qeverinë e Republika Srpska-s kishte kërkuar mbështetjen e Trumpit dhe aleatëve të tij shumë kohë përpara zgjedhjeve të së dielës.

Partia shënoi fitore të rëndësishme në zgjedhje.

Në një fjalim pas fitores, të mbajtur të dielën vonë, lideri i partisë, Milorad Dodik, i dha Trumpit meritat për krijimin e mjedisit politik që i mundësoi partisë së tij të triumfonte.

Dodik kishte qenë prej vitesh nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Por administrata Trump i hoqi sanksionet vitin e kaluar, pasi qeveria e Republika Srpska-s financoi një fushatë të kushtueshme lobimi dhe ndikimi, në të cilën u përfshinë një numër aleatësh të Trumpit.

Blair dhe LaCivita nuk ishin të përfshirë në fushatën për heqjen e sanksioneve.

Top Channel