Aksident në Vlorë/ Përplasen dy makina te “Tregu i Frutave”, një person dërgohet në spital
Policia greke dyshon se Alket Rizai, i dënuari shqiptar që nuk u kthye në burgun e Domokos më 14 shtator, pas përfundimit të lejes së dhënë, mund të jetë larguar drejt Shqipërisë ose Kosovës.
Rizai ishte përfshirë një ditë më parë në një incident me të shtëna armësh jashtë një beach bar-i në Anavisos, ku kishte shkuar me automjetin e tij së bashku me disa persona të tjerë.
Sipas informacioneve të bëra publike, Rizai kishte vendosur muzikë në volum shumë të lartë, ndërsa pronari i lokalit kishte dalë jashtë për t’i kërkuar ta ulte zërin. Situata më pas u përshkallëzua në një debat të ashpër, ndërsa disa klientë dhe punonjës dolën jashtë për të parë se çfarë po ndodhte.
Në atë moment, sipas dëshmive që po hetohen nga autoritetet greke, Alket Rizai dyshohet se ka nxjerrë një armë. Policia po shqyrton edhe mundësinë që ai të ketë qëlluar me armë, me gjasë në ajër.
Për incidentin është arrestuar një 27-vjeçar me origjinë afgane, i cili punonte si roje sigurie në beach bar. Ai akuzohet se ka tentuar të qëllojë për vdekje një person tjetër, ndërsa si pasojë e të shtënave dy kalimtarë kanë mbetur të plagosur lehtë.
Dëshmia e re: Fener dhe megafon policie
Ndërkohë, një dëshmi e re ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Alket Rizai mund të jetë larguar pas incidentit.
Sipas dëshmisë së një drejtuesi automjeti, i cili po udhëtonte në rrugët ku dyshohet se ka kaluar Rizai pas përplasjes në Anavisos, nga një automjet që ndodhej pas tij është aktivizuar një fener i ngjashëm me ata që përdoren nga policia greke në automjetet e saj civile.
Dëshmitari dyshohet se ka deklaruar gjithashtu se një prej personave që ndodheshin në automjet i ka folur përmes një megafoni.
Autoritetet greke po hetojnë dëshminë, ndërsa vijojnë kërkimet për lokalizimin e Alket Rizait. Një nga skenarët që po shqyrtohet është largimi i tij jashtë Greqisë, me Shqipërinë ose Kosovën si destinacione të mundshme.
Top Channel