Pronësia mbi tokën bujqësore mbetet problem, Kadastra synon 1 mijë vendime në 2026

05/10/2026 13:21

1000 vendime pronësie për tokën bujqësore synohen të shpërndahen për vitin 2026 nga ASHK. Një proces që prej vitesh ecën me ritme të ngadalta ndërsa familje të shumta vijojnë të përdorin tokën bujqësore pa pasur ende titullin e pronësisë.

Drejtoresha e Kadastrës, Lorena Goxhobelli thotë se vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë rreth 210 vendime që përfshijnë 107 hektarë tokë bujqësore.

“Pa diskutim që ne kemi rritur dhe kemi intensifikuar punën për 2025, kemi emetuar rreth 210 vendime që përfshijnë 107 hektarë tokë bujqësore të pajisur me titull pronësie. Duket një numër i vogël në fakt, po të krahasohet me numrin ende të lartë që kemi të kërkesave për të trajtuar, por nga ana tjetër është një numër i mirë krahasuar me ritmin e punës që ka qenë ku vetëm në 2020-ën kur Kadastra ka marrë kompetencat deri në 2024-ën janë emetuar vetëm 91 vendime”, tha Goxhobelli.

Shifrat tregojnë edhe ndryshimin e ritmit. Nga viti 2020 deri në 2024 kur Kadastra mori kompetencat për këtë proces, janë dhënë gjithsej 91 vendime. Sot puna është shtrirë në 59 fshatra ku po trajtohen kërkesa dhe po përgatiten planet për parcelat që do të formalizohen.

Në Shijak në fshatrat Shahinaj dhe Shetel janë përgatitur planet për 610 parcela, ndërsa në Tropojë po trajtohen 261 kërkesa. Procesi vijon edhe në 16 fshatra të Dibrës si dhe në Kukës, Has e Tepelenë.

Por përpara se toka të marrë titull pronësie, një nga kushtet kryesore është regjistrimi fillestar. Sipas Kadastrës në qershor 2026 ky proces arriti në 95.3% të territorit të vendit duke hapur rrugën për trajtimin e mëtejshëm të pronësisë.

“Procedurat e lejeve të pronësisë për tokën bujqësore nuk trajtohen rast pas rasti, por trajtohen në blloqe kadastrale, sepse vetëm në këtë mënyrë ti ke një pamje të plotë të tokës që është e lirë për t’u trajtuar, por edhe të përdoruesve faktikë”, deklaroi Goxhobelli.

Por ritmi i formalizimit mbetet ende i ulët në raport me numrin e lartë të kërkesave të mbartura ndër vite. Pavarësisht përshpejtimit të procesit toka bujqësore vijojnë të mbetet një nga problematikat e pazgjidhura të pronësisë. Kadastra synon që deri në fund të vitit të ketë përfunduar 1 mijë procedura duke i dhënë titull pronësie një pjese të tokës që prej vitesh përdoret nga familjet por ende nuk figuron ligjërisht në emër të tyre.

Top Channel