Ngërç në bisedimet SHBA-Iran, Axios: Marco Rubio urdhëron delegacionin e Araghchi-t të largohet nga New York

01/10/2026 09:58

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka urdhëruar delegacionin iranian në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që të largohet menjëherë nga Shtetet e Bashkuara, pas ngecjes së negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit, raporton Axios, duke cituar një zyrtar amerikan dhe një burim tjetër të informuar për çështjen.

Mes zyrtarëve iranianë që u kërkua të largoheshin nga Nju Jorku ishte ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, homologu i Rubios. Sipas burimeve të cituara nga Axios, delegacioni u largua nga Nju Jorku disa orë më vonë dhe udhëtoi drejt Dohas.

Një zyrtar amerikan tha se delegacioni iranian kishte qëndruar më gjatë se sa ishte parashikuar dhe se, me përfundimin e Asamblesë së Përgjithshme, kishte ardhur koha që të largohej.

Vendimi erdhi pasi përpjekjet diplomatike për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit nuk prodhuan përparim të rëndësishëm. Ndërmjetësit e Katarit kanë vijuar kontaktet me të dyja palët, në përpjekje për të gjetur një kompromis që do të mundësonte përparim në çështjet e luftës, bllokadës dhe programit bërthamor iranian.

Megjithatë, pala iraniane ka kundërshtuar versionin se delegacioni u “dëbua” nga SHBA-ja. Sipas një raportimi të Arab News, Irani e ka mohuar se Rubio urdhëroi largimin e delegacionit për shkak të dështimit të negociatave.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se koha për një marrëveshje po mbaron. Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin, Trump tha se SHBA-ja mund të zgjedhë mes arritjes së një marrëveshjeje dhe veprimeve të tjera ndaj Teheranit.

Negociatat e fundit janë fokusuar ndër të tjera te rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe çështja bërthamore. Irani ka kërkuar lehtësimin e bllokadës dhe sanksioneve, ndërsa administrata amerikane kërkon koncesione nga Teherani lidhur me programin e tij bërthamor.

Pavarësisht ngecjes së bisedimeve, ndërmjetësit e Katarit po vijojnë përpjekjet diplomatike për të gjetur një formulë kompromisi mes dy vendeve.

Top Channel