Kërkesa e PD në Konferencën e Kryetarëve për debatin për SHISH, PS kundër: Ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet

01/10/2026 09:36

Konferenca e Kryetarëve ka shqyrtuar kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një debati parlamentar lidhur me çështjen e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni.

Kërkesa e PD-së ka në fokus përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe integritetit institucional.

Në Konferencën e Kryetarëve, Taulant Balla ka bërë të ditur qëndrimin e mazhorancës, duke argumentuar se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë dhe se Kuvendi nuk mund të zëvendësojë kompetencat e prokurorisë dhe gjykatës.

“Lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ, ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK”, u shpreh Balla.

Sipas tij, prokurorët duhet të lejohen të kryejnë hetimin në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga institucionet e tjera.

Balla iu referua edhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova apo për të përcaktuar fakte penale dhe përgjegjësi individuale.

“Prandaj ta lëmë sistemin të bëjë punën e vet”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se asnjë instrument i kontrollit parlamentar, nga mocioni me debat deri te komisioni hetimor parlamentar, nuk duhet të zëvendësojë, ndikojë apo pengojë hetimin e SPAK.

Duke folur për qëndrimin e mazhorancës ndaj Reformës në Drejtësi, Balla tha se pafajësia ose fajësia e një zyrtari duhet të përcaktohet vetëm përmes institucioneve të drejtësisë.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, u shpreh ai.

Balla nënvizoi se mazhoranca, sipas tij, nuk duhet të hyjë në meritën e çështjeve që janë në duart e drejtësisë dhe nuk duhet të bëjë avokatinë e askujt që përballet me organet e drejtësisë.

Në fund, Balla tha se është hetimi ai që duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje që mund të kenë cenuar sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Qëndrimi i PS:

Lidhur me hetimet mbi ish-drejtoren e Shërbimit Informativ ne presim që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund nga SPAK, të cilët duhen lënë të bëjnë punën e tyre pa asnë ndërhyrje apo mbivendosje, përmes procesit të pavarur të hetimit dhe të gjykimit. Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik. Sipas jurisprudencës së konsoliduar tanimë të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të përdorë instrumentet e kontrollit parlamentar për të dubluar ose zëvendësuar kompetencat e prokurorisë, për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale apo përgjegjësi individuale.

Falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajo e me vendosmëri i është hapur rruga drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.

Jo më larg se dje Ursula von der Leyen konfirmoi “Kur shohim çështje të cilat po hetohen, ato janë prova që sistemi po funksionon. Ky është fuqizimi i sistemit”. Prandaj ta lemë sistemin të bëjë punën e vet. Asnje instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri tek komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, ta ndikojë, ta kushtëzojë apo pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK. Dua të ripërsëris këtu se çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre, duhet të ndalet. Rituali i turpit në dy të hëna të muajit nga një i pandehur para dyerve të SPAK, duhet të ndalet. Forca politike, brenda së cilës militon ky person, duhet ta bëjë debatin e parë brenda vetes për këtë çështje.

Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë ditën e parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një zyrtari, edhe pse i propozuar, mbështetur apo votuar prej nesh, i vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.

Shkarkimi i menjëhershëm dje nga detyra i drejtores së shërbimit ishte pikërisht shembulli i kësaj qasje nga ana jonë. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ngarkon ligji:

Kryeministri → varësia institucionale
Komisioni i Kuvendit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes → mbikëqyrja parlamentare
Presidenti → raportim + kompetenca mbi drejtimin
Inspektori i Përgjithshëm → inspektim i veprimtarisë
KLSH/Auditimi → kontroll financiar
Prokuroria/Gjykata → kontroll ligjor/judicial në fushat përkatëse

Kjo është një çështje që unë i duhet lënë prokurorisë dhe gjykatës, jo leximit sporadik të materialeve hetimore që nxirren për të bërë çorap opinionin publik. Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë.

Top Channel