Në qendër të deklaratës së tij ishte situata në Shqipëri dhe akuzat ndaj qeverisë Rama. Berisha u shpreh se fokusi kryesor i tij ka qenë denoncimi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, duke e lidhur këtë situatë me pasojat që janë shfaqur në ekonomi, bujqësi, industri dhe zhvillimet demografike.
Gjatë videomesazhit të tij, Berisha u ndal edhe te zhvillimet në Serbi, duke komentuar përdorimin e figurës së Ratko Mlladiç në fushatën politike.
Ai akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç se po mbështetet politikisht nga elementë të lidhur me të kaluarën e luftërave në rajon dhe kërkoi që ndaj Serbisë të merren masa në raport me Këshillin e Europës.
Sipas Berishës, përdorimi i figurës së Mlladiç përbën shkelje të parimeve themelore europiane dhe paraqet rrezik për stabilitetin e rajonit.
“Gjatë qëndrimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, por qëndrimi im më kryesor ka qenë në denoncimin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, që ka ndërtuar Edi Rama në Shqipëri gjatë këtyre viteve, pasojat shkatërrimtare të këtij narkoshteti mbi ekonominë e vendit, zhvlerësimin dramatik të euros dhe dollarit, rënien masive të prodhimit industrial dhe prodhimit bujqësor dhe shokun e tmerrshëm demografik të paprecedent në historinë e Shqipërisë në shekuj.
Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, klanet shqiptare janë transportues kryesorë të kokainës nga Amerika Latine dhe kontrollues të tregut europian.
Në këtë kuadër, unë bëra thirrje për mbështetje nga ky institucion në luftën kundër narkoshtetit në Shqipëri, i cili përbën rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin dhe më gjerë.
Në qëndrimin tim, një vend të rëndësishëm kanë patur edhe diskutimet lidhur me faktin se sot në Beograd fantazmat e Ratko Mlladiç po bëjnë fushatë krah patronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç, dhe kjo përbën një fyerje, një rrezik të madh për rajonin, një fyerje të rëndë për mbarë qytetërimin botëror.
Kërkova dhe do insistoj që sanksione të qarta të vendosen ndaj Serbisë në raport me Këshillin e Europës, mbasi ky akt vjen në kundërshtim flagrant me të gjitha parimet themelore.
Ratko Mlladiç është orkestruesi dhe kryeautor i gjenocidit më të madh pas Luftës së Dytë Botërore në Srebrenicë, ai ka kryer krime të rënda në Kroaci dhe në zona të tjera dhe tani bën fushatë përkrah Aleksandër Vuçiçit fshatrat dhe qytetet e Serbisë.
Një vëmendje tjetër, situata dramatike e mediave në Shqipëri të kontrolluara sipas raporteve ndërkombëtare në 90% të tyre nga një aleancë mafioze e narkoqeverisë, bizneseve dhe klaneve të drogës.
Aty ku 90% të mediave kontrollohen nga qeveria, korruptohet gjuha, korruptohet mendimi, liria de facto është një iluzion.
Aktet e dhunës ndaj mediave të qeverisë janë të dënueshme dhe i denoncova me forcën më të madhe, por kërkohet një ndërhyrje urgjente, mbasi e vërteta është se demokracia në Shqipëri për këto arsye është në agoni, ndërkohë konsolidohet gjithnjë e më shumë diktatura autoritare bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve”, tha ai.