Vrau motrën pas një sherri për një postim në rrjetet sociale, 16-vjeçari dënohet me 20 vite burg
Përmes ambasadës së saj në Belgjikë, Rusia ia ka dërguar NATO-s një notë proteste, ku shpreh indinjatë ndaj asaj që e përshkruan si “linjë aventuriere e të papërgjegjshme të aleancës”, e cila sipas Moskës përfshin stërvitje që do të simulonin “izolimin” e enklavës së Kaliningradit, duke rritur “ndjeshëm rreziqet e një përplasjeje të drejtpërdrejtë të armatosur”.
Rusia është e gatshmë të përdorë “të gjithë arsenalin e armëve që ka në dispozicion” për të mbrojtur territorin e saj, theksohet në deklaratë. NATO-ja konfirmoi se e ka marrë letrën, dhe i ka kthyer përgjigje duke dënuar aty “kërcënimet” e palës ruse dhe duke rikujtuar karakterin mbrojtës të Aleancës. “ Mund të konfirmoj se na ka mbërritur një dokument joformal, një non-paper, dhe se ne i jemi përgjigjur, duke theksuar se NATO është një Aleancë mbrojtëse dhe se asnjë nga aktivitetet apo stërvitjet tona nuk përbën rrezik për asnjë pjesë të Rusisë.
Ne dënojmë me forcë çdo kërcënim për përdorimin e forcës, përfshirë çdo retorikë të papërgjegjshme në fushën bërthamore. I bëjmë thirrje Rusisë t’i japë fund luftës së saj të paprovokuar në Ukrainë”, deklaroi zëdhënësja aleancës, Allison Hart. Hart shtoi se “përdorimi i taktikave hibride nga ana e Rusisë është shenjë dëshpërimi.
“Megjithatë, ne nuk do të lejojmë që kjo të na largojë nga mbështetja jonë për Ukrainën. I kemi mjetet e nevojshme për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat dhe mbetemi të fortë, të gatshëm dhe të aftë për t’iu kundërvënë çdo kërcënimi”, ishte komenti i saj.
Top Channel