“10 mijë koreanë për rusët”/ Presidenti ukrainas ngre alarmin, Zelensky: Kremlini po zhvendos trupat nga Koreja e Veriut

29/09/2026 19:53

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Kremlini po përgatitet për një mobilizim të ri të trupave brenda vendit dhe për zhvendosjen e 10.000 ushtarëve të tjerë të Koresë së Veriut në luftën në Ukrainë.

Ndërkohë, teksa Zelensky fliste, gazetarët në kryeqytetin ukrainas raportuan për shpërthime në qytet gjatë një alarmi për sulm me raketa.

Zelensky tha se të paktën nëntë njerëz u vranë dhe më shumë se 80 u plagosën të hënën në sulmet me dronë rusë në mbarë vendin.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti ukrainas u shpreh se koreanoveriorët, të cilët, sipas raportimeve, pësuan humbje të mëdha gjatë dislokimit të mëparshëm, “po përzgjidhen për trajnim dhe dislokim të mëpastajshëm në Rusi”.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka hedhur poshtë raportimet për një mobilizim të ri, duke i cilësuar si “marrëzi”, megjithëse më 28 shtator ai nënshkroi një dekret për shtimin e 15.500 trupave. Ky është urdhri i katërt i tillë këtë vit.

Rusia ka pësuar humbje të mëdha në ushtarë, armë dhe pajisje ushtarake që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, një luftë për të cilën Kremlini, sipas raportimeve, besonte se do të përfundonte me fitore brenda vetëm disa javësh.

Putin urdhëroi për herë të fundit mobilizimin e rezervistëve në vitin 2022 dhe një tjetër lëvizje e tillë ka gjasa të jetë shumë e papëlqyer në mesin e popullsisë ruse.

Top Channel