Dosja “Partizani” shtyhet për në 12 tetor, shkak bëhet mungesa e avokatëve
Kryeministria u është përgjigjur me e-mail gjyqtarëve dhe prokurorëve pas refuzimit të tyre për të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama për pagat në drejtësi.
Në e-mailin që gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, pati mundësi ta shikojë, u bëhet me dije përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë se shkaqet e paraqitura prej tyre për mospjesëmarrjen në takim janë vlerësuar.
“I vlerësojmë shkaqet e paraqitura prej jush dhe mbetemi të hapur për të vijuar dialogun në një moment të dytë”, thuhet në email.
Komunikimi është dërguar nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.
“Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe, në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht. Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit.
Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut. Me respekt, Elsonida Rama, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë”, thuhet në e-mail.
Përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga Rama, ndërsa më herët edhe Gjykata e Lartë kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë.
Ata shprehen se në dialog do të marrin pjesë vetëm pasi të flasë Gjykata Kushtetuese, pasi çështjen e pagave e kanë çuar tashmë në këtë ‘derë’.
Top Channel