Kandidatët për anëtarë të KLGJ prezantojnë platformat: Jemi në momente sprove, ta bëjmë gjyqësorin më të mirë

25/09/2026 11:01

Në procesin për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, siç raporton gazetarja Anila Hoxha, e pranishme në mbledhje, kandidatët që garojnë për përfaqësimin e Gjykatës së Lartë kanë prezantuar qëndrimet dhe prioritetet e tyre për pesë vitet e ardhshme.

Arbena Ahmeti, kandidate për KLGJ nga Gjykata e Lartë, u ndal te nevoja për bashkëpunim më të madh institucional dhe mbështetjen ndaj gjyqtarëve.

“KLGJ duhet të bashkëpunojë aktivisht me institucionet përgjegjëse. Shoqatat e gjyqtarëve përballen me mungesë fondesh dhe infrastrukture, ndaj Këshilli duhet të ofrojë mbështetje”, u shpreh Ahmeti.

Ajo kërkoi gjithashtu besimin e kolegëve për mandatin e ardhshëm: “Nëse më jepni besimin tuaj për pesë vitet e ardhshme, premtoj që do të kemi një gjyqësor të mirë”.

Sandër Simoni, kandidat për KLGJ nga Gjykata e Lartë, e vlerësoi situatën e sistemit gjyqësor si një periudhë konsolidimi dhe njëkohësisht sprove.

“Pushteti gjyqësor është në një fazë konsolidimi dhe në momente sprove, për shkak të ngarkesës në punë”, tha Simoni.

Ai iu referua edhe disa prej çështjeve që kanë vënë në provë sistemin gjatë kësaj periudhe: “Ngjarja e rëndë e humbjes së kolegut dhe konflikti i pagave ishin sprovë, së pari për garantimin e sigurisë dhe për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërkohë, Fatri Islamaj, kandidat për KLGJ nga Gjykata e Apelit, u ndal te sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor.

“Sfidat janë të shumta. Agresioni i paprecedentë me të cilin u përballëm gjatë këtij muaji për pagat përbën goditjen më arrogante”, deklaroi Islamaj.

Ai renditi edhe disa prej prioriteteve që, sipas tij, duhet të ketë KLGJ-ja: “Përshpejtim në kohë të vlerësimit të gjyqtarëve, rishikim të numrit të gjyqtarëve, sidomos në gjykatat ku ka stok, si dhe përmirësim të infrastrukturës. KLGJ duhet të jetë më pranë gjykatave”.

Igerta Hysi, kandidate për KLGJ nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, u ndal te promovimi i gjyqtarëve, cilësia e vendimeve dhe funksionimi i administratës gjyqësore.

“Secili nga ne duhet të ketë bindjen se promovimi nuk varet nga afërsia me KLGJ-në, por nga aftësia dhe puna. Besimin që kërkojmë nga qytetarët duhet ta ndiejmë vetë nga brenda sistemit”, u shpreh Hysi.

Ajo tha se do të mbështesë përmirësimin e arsyetimit dhe kohës së dhënies së vendimeve, duke vënë theksin te cilësia dhe jo vetëm te statistikat. “Do të mbështes arsyetimin në kohë të vendimeve, por gjithashtu jo vetëm statistika, por sidomos cilësi vendimesh”, tha Hysi. Sipas saj, një rëndësi të veçantë ka edhe administrata gjyqësore. “Një gjyqtar nuk mund ta bëjë i vetëm punën, ndaj administrata meriton respekt dhe mbështetje. Duhet rishikuar shtimi i numrit të ndihmësve ligjorë”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Brunilda Kadi, kandidate për KLGJ nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, u mbështet te përvoja e saj e mëparshme në Këshill dhe karriera në sistemin gjyqësor.

“Përvoja e mëparshme gjatë mandatit të parë, nga 2016 deri në 2021, dhe karriera në gjyqësor më kanë ndihmuar ta njoh më mirë sistemin”, tha Kadi.

Ajo u shpreh se gjatë mandatit të parë kishte kuptuar nevojën që KLGJ-ja të krijonte identitetin e vet, ndërsa pas rikthimit në sistem ishte përballur me sfida të reja. “Gjatë mandatit të parë kuptova se Këshilli duhet të krijonte identitetin e vet. Kur u riktheva, u përballa me sfida të tjera me të cilat ndeshet gjyqësori, pasi KLGJ nuk dëgjon gjyqtarët vetëm kur problemi është bërë i padurueshëm”, deklaroi ajo.

Kadi e cilësoi detyrën e gjyqtarit si një përgjegjësi të veçantë. “Kemi zgjedhur detyrën më sublime dhe më të vështirë, pra dhënien e drejtësisë. Kjo nuk është një punë, por një mision”, u shpreh kandidatja.

Top Channel