Sulm me helmeta, shufra dhe karrige ndaj policëve në Katania/ Tre efektivë përfundojnë në spital gjatë operacionit antidrogë

22/09/2026 16:06

Tre oficerë policie kanë përfunduar në spital pas një sulmi të dhunshëm gjatë një operacioni antidrogë në Katania të Italisë.

Ngjarja ndodhi të hënën, më 21 shtator, në lagjen San Cristoforo, një zonë e njohur për aktivitetin e trafikut të drogës, shkruajnë mediat.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, efektivët e Skuadrës Fluturuese të komisariatit u sulmuan me helmeta, shufra dhe karrige teksa po kryenin operacionin.

Njëri prej policëve pësoi frakturë në hundë dhe trauma në fytyrë, ndërsa dy efektivët e tjerë morën mavijosje dhe dëmtime të ndryshme. Të tre u dërguan në spital për të marrë trajtimin mjekësor.

Pas përshkallëzimit të situatës, në vendngjarje mbërritën patrulla të tjera të Policisë së Shtetit për të mbështetur kolegët që po kryenin operacionin.

Në përfundim të ndërhyrjes, tre persona u arrestuan dhe u dërguan në burg.

Ngjarja në Katania ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër episodi të dhunshëm ndaj policisë në Palermo.

Në lagjen Falsomiele, një makinë patrullimi u sulmua me gurë nga një grup banorësh, të cilët, sipas raportimeve, tentuan të ndihmonin tre persona me motoçikleta të largoheshin pasi nuk kishin ndaluar në një pikë kontrolli.

Disa efektivë mbetën të plagosur, ndërsa dy persona të dyshuar për sulmin u identifikuan dhe u arrestuan në një depo. Gjatë incidentit u dëmtuan edhe dy makina patrullimi.

Dy ngjarjet e njëpasnjëshme kanë rikthyer në vëmendje situatat e dhunshme me të cilat përballen efektivët gjatë ndërhyrjeve në zonat e trafikut të drogës dhe kontrolleve në territor.

Top Channel