Zjarr në një sipërfaqe me barishte në Durrës, banorët dhe shërbimi zjarrfikës i qytetit në luftë me flakët Pas sekuestrimit të shkresave në disa institucione, SPAK ka nisur fletëthirrjet për të marrë në pyetje të gjithë zyrtarët e përmendur në çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
E para që është pyetur me urdhër të prokurorit Elvin Gokaj ishte drejtoresha e Degës së Thesarit të Tiranës, Elmira Peto, e cila ishte në dispozicion të hetuesve të BKH-së dy ditë rresht. Peto ka sjellë për grupin e hetimit email-et e shkëmbyera, duke pretenduar se nuk i kishte bllokuar pagat në gjyqësor, ndërsa ka shtuar: “Kam 35 vite në detyrë dhe nuk më ka ndodhur ndonjëherë diçka e tillë”. Zyrtarja, e cila ishte në rolin e deklarueses, ka pretenduar se vonesat kanë ndodhur për shkak të problemeve që mund të ketë pasur sistemi.
Të tjerë që do të pyeten janë të gjithë shefat e degëve të tjera të thesarit që janë gjithashtu të kallëzuar, bën me dije gazetarja Anila Hoxha.
Dy këshillat e drejtësisë kryen gjatë verës llogaritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas një vendimi të Kushtetueses dhe në një kohë kur një projektligj sapo i ishte përcjellë Kuvendit tej afateve të vendosura nga Kushtetuesja. Në këtë situatë listëpagesat e të gjitha gjykatave dhe prokurorive sipas pagave të reja u bllokuan, ndërsa 20 gjykata dhe shoqatat e njerëzve të drejtësisë kërkuan hetime nga SPAK, që ndërkohë së bashku me Kushtetuesen i kishin përcjellë Thesarit për muajin gusht listëpagesat sipas pagave të vjetra.
Çështja po hetohet për shpërdorim detyre dhe moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Veç 14 përgjegjësve të degëve të thesarit të kallëzuar janë edhe ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie, Gentian Këri.
Top Channel