Daja e deputetes së PS e rrahu dhe i plagosi me drapër të atin, 34-vjeçarja sqaron foton e publikuar nga Zegjine Çaushit: Ja si qëndron e vërteta
Gjykata e Posaçme nuk tërhiqet nga rregullorja e re që kufizon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në ambientet e saj.
Në një përgjigje të gjatë drejtuar Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, pas kërkesës së kësaj të fundit për rishikimin e nenit 76, GJKKO argumenton se kufizimi është i ligjshëm, proporcional dhe nuk cenon ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së re më 1 shtator, kreu i Dhomës së Avokatisë iu drejtua GJKKO-së me një kërkesë për rishikimin e saj.
Gjykata e Posaçme në përgjigjen dërguar avokatëve, thekson se rregullorja duhet të zbatohet për sa kohë është në fuqi. Nëse Dhoma e Avokatisë e kundërshton atë, sipas GJKKO-së, duhet të ndjekë rrugët ligjore pranë organeve kompetente.
“GJKKO-ja sqaron se Rregullorja ka hyrë në fuqi më datë 01.09.2026 dhe se, si akt i miratuar sipas procedurës së parashikuar dhe në fuqi, ajo është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit në procesin gjyqësor. Për rrjedhojë, GJKKO-ja kërkon nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë zbatimin e plotë të saj, përfshirë nenin 76. Në rast se Dhoma e Avokatisë vijon ta kontestojë këtë rregullim, ajo ka në dispozicion rrugët ligjore përkatëse për ta kundërshtuar atë përpara organeve kompetente; ndërkohë, kontestimi nuk e pezullon efektin juridik të Rregullores dhe nuk mund të shërbejë si shkak për mospjesëmarrje në seancat gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e GJKKO-së.
Për të mbështetur qëndrimin e saj, GJKKO sjell në përgjigjen e saj prej 21 faqesh një sërë referencash nga praktika shqiptare dhe ndërkombëtare, duke krahasuar kufizimet e vendosura në Gjykatën e Posaçme me rregullat që zbatohen në gjykata të tjera.
Një prej referencave është vetë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. GJKKO citon rregulloren e Kushtetueses, sipas së cilës në sallën e gjykimit ndalohet përdorimi i kompjuterit portativ gjatë seancës, ndërsa regjistrimi radiofonik, televiziv, audio apo video lejohet vetëm me pëlqimin e Gjykatës. Sipas argumentimit të GJKKO-së, kjo tregon se edhe një gjykatë tjetër shqiptare vendos kufizime mbi pajisjet elektronike gjatë zhvillimit të seancave.
Në përgjigjen prej 21 faqesh sillet edhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. GJKKO argumenton se edhe GJEDNJ-ja ka rregulla për pajisjet elektronike dhe regjistrimin brenda ambienteve të saj.
Por krahasimet shkojnë edhe përtej Europës. GJKKO i referohet praktikës së gjykatave federale në Shtetet e Bashkuara, ku, sipas dokumentit, mund të ndalohet përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike në godina gjykatash, konkretisht Gjykata Federale e Distriktit Verior të Iowa-s.
Gjykata sjell më tej shembullin e Gjermanisë, ku, sipas gjykatat mund të vendosin kontrolle mbi pajisjet elektronike në funksion të sigurisë dhe zhvillimit të rregullt të procesit.
Për Francën përmendet neni 38 i ligjit të vitit 1881, që lidhet me ndalimin e regjistrimit dhe transmetimit gjatë seancave gjyqësore, ndërsa për Italinë referohet neni 147 i dispozitave zbatuese të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “filmimi dhe fotografimi në sallë lidhen me autorizimin e posaçëm të gjykatës”.
Në listën e praktikave krahasuese përfshihen edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda. GJKKO i përdor këto raste për të argumentuar se administrimi dhe kufizimi i pajisjeve elektronike në gjykata nuk është një praktikë vetëm shqiptare, por gjendet, me forma dhe shkallë të ndryshme, edhe në sisteme të tjera gjyqësore.
Sipas GJKKO, celulari u është ndaluar të gjithë pjesëmarrësve në procesin gjyqësor.
Në pikën 69 të përgjigjes së saj për kreun e Dhomës së Avokatisë. Gjykata e Posaçme thekson se ”Rregullorja është e detyrueshme për të gjithë pjesëmarrësit në procesin gjyqësor”.

Top Channel