“Padrejtësia më e madhe e këtij shekulli”, reagon vajza e Jakup Krasniqit: Unë do të vdes me bindjen në pafajësinë e babait tim

16/09/2026 13:16

Pas vendimit të sotëm në Hagë, ka reaguar edhe vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi.

Në një status të publikuar në Facebook, ajo shpreh dhimbjen dhe zhgënjimin e saj për dënimin e babait, ndërsa thekson se bindja e saj për pafajësinë e tij dhe të ish-krerëve të UÇK-së mbetet e palëkundur.

Postimi i plotë i Gresë Krasniqit:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.

Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, perfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin.

Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.

UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët.

Në këtë gjykatë te padrejt, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky eshte vec nje tjeter tregues i qarte per natyren paragjykuese dhe politike te po kesaj gjykate.

Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë.

Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës.

Krenaria mbetet. E vërteta mbetet.

Ne do ta vazhdojmë luften për liri dhe drejtesi!

 

Top Channel