CDU-ja ka dalë forca më e madhe politike në zgjedhjet komunale të zhvilluara në landin gjerman të Saksonisë së Poshtme, duke ruajtur avantazhin ndaj Partisë Socialdemokrate (SPD), çka e bën kancelarin Friedrich Merz të çtensionohet disi, edhe pse AfD-ja ka shënuar një rritje të ndjeshme dhe është renditur në vendin e tretë.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga autoritetet zgjedhore të landit, CDU-ja ka marrë 27,2 për qind të votave në zgjedhjet për këshillat e qarqeve.
SPD-ja është renditur e dyta me 24,6 për qind, ndërsa AfD-ja ka siguruar 15,9 për qind.
Alternativa për Gjermaninë ka shënuar praktikisht rezultatin më të mirë në historinë e saj në zgjedhjet komunale në Saksoninë e Poshtme, thonë mediat vendase.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka arritur në 64,6 për qind, dukshëm më shumë se në vitin 2021, kur ajo ishte 57,0 për qind.
Në këto zgjedhje kishin të drejtë vote rreth 6,3 milionë qytetarë. Rezultati vjen në një moment të rëndësishëm për politikën gjermane, pas humbjes së CDU-së në zgjedhjet në landin Saksoni-Anhalt dhe debateve rreth kancelarit Merz.
Kryetari i CDU-së në Saksoninë e Poshtme, Sebastian Lechner, e kishte shprehur optimizmin e tij edhe para publikimit të rezultateve të para, edhe pse e pranoi se zgjedhjet ishin zhvilluar në një klimë të vështirë politike.
“Edhe ne e kemi vënë re pakënaqësinë ndaj Berlinit”, tha ai.
Top Channel