“E kam hequr kostumin e politikanit”, kryeinspektori Sula: Politika fushë e minuar, nëse futem humb pavarësinë time

14/09/2026 11:21

Kryeinspektori i Përgjithshëm i Shtetit, Dashnor Sula, tha sot në “Wake Up” se ka zgjedhur të distancohet nga politika për të ruajtur pavarësinë në detyrën që mban.

Sula theksoi se e ka “hequr kostumin e politikanit” dhe ka veshur atë të nëpunësit të shtetit, duke nënvizuar se beson te demokracia, vota dhe respektimi i rregullave.

Ai shprehet se nuk i takon të gjykojë palët në një konflikt politik apo protestë, por të përmbushë me korrektësi detyrën e tij dhe të garantojë që institucioni që drejton të mos shkelë të drejtat e qytetarëve.

“Unë e kam hequr kostumin e politikanit dhe kam veshur kostumin e nëpunësit të shtetit, pikë. Unë nuk bëj politikë, kjo është diferenca ime në kokë. Sepse nëse unë do të hyj në fushën e minuar të politikës, do humbas pavarësinë time dhe kjo është e panegociueshme për mua. Nuk pretendoj që Shqipëria është uau, ka problematika, por unë kam besuar dhe besoj gjithmonë te demokracia personale. Më mirë do të thoja, një shtet i cili nuk është në nivelin ku duhet ta duam, sesa një shtet që mund të jetë kaos. Pra një shtet ku humbasin rregullat e lojës në demokraci. Vota dhe vetëm vota është ajo që zgjidh gjithçka. Rrëmuja, sherri, vrasja, shkatërrimi nuk na vlejnë. Çdo protestim është forcë e demokracisë, kur ka rregulla dhe ka liri. Pra nuk më takon mua që të jem gjykatësi i asnjërës palë në këtë rast. Unë kam vetëm një detyrë, parcelën time, segmentin e shtetit, unë ta respektoj dhe ta bëj mirë dhe kjo i shërben edhe atyre që protestojnë. Sepse nëse inspektorët e mi, janë ata që shkelin dhe dhunojnë biznesin e qytetarit, do të thotë që dhe unë kam pjesë të fajit”, tha Sula.

 

Top Channel