“Reagimi ynë do të përshkallëzohet”, përfundon mbledhja, gjyqtarët të prerë: Zhbllokoni pagat, zbatoni vendimin e ‘Kushtetueses’ Kryeministri Edi Rama ka prezantuar programin e ri për strehimin, duke njoftuar ndryshime në mënyrën e trajtimit të banesave sociale dhe grupeve në nevojë.
Rama tha se nisma do të kalojë fillimisht në konsultim publik dhe më pas në Kuvend, ndërsa bëri të ditur se “Rilindja 2.0” parashikon gjashtë programe të reja për strehimin.
Mes tyre janë banesat sociale me qira, banesat me kosto të ulët, përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, banesat e përkohshme dhe banesat e përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara.
“Do kalojë në konsultim publik dhe më pas në parlament për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë dhe më të mprehtë.
Rilindja 2.0 është një vizion i ngritur në një nivel tjetër në një sërë aspektesh dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor. Janë 6 programe të reja, të cilat ne do t’i adresojmë bashkë.
Programi i parë është ai i banesave sociale me qira. Është një skemë e mirënjohur e përdorur në vite, të cilën ne do ta qasim në një mënyrë të re. Faktikisht, dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program i cili do të bëhet më kompleks dhe jo thjesht dhe vetëm prit të ndërtohet edhe pastaj të kesh shansin të marrësh një banesë në një radhë të gjatë ku nuk i dihet si përfundon seleksioni.
Këto banesa do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve të shtetit ose të konfiskuara, kemi konfiskuar jo pak objekte dhe do konfiskojmë çdo objekt që do shkelë rregullat e lejeve të ndërtimit, bonusin e qirasë dhe PPP. Pra, do përdorim çdo element.
Pastaj te banesat me kosto të ulët, që lidhet me subvencionin nga shteti të kredisë, duke pasur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët.
Pastaj te përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël. Nuk duam të shtojmë një bllok banimi vetëm për njerëz të varfër, por të kemi një bllok banesash dinjitoze. Ata më të kamurit do të blejnë aty e ndaj është me rëndësi cilësia.
Agjencia e zhvillimit të territorit do të marrë një fuqi të re. Në Tiranë shumë shpejt do fillojmë me këtë program të ri dhe kemi në shqyrtim një sërë zonash të tjera në bashki të tjera ku janë të ftuar kryetarët të bëjnë propozime.
Programi tjetër është ai i banesave të përkohshme. Dhe programi i 6 është për banesat e veçanta, që janë të përshtatura për familje me persona me aftësi të kufizuara”, tha Rama.
“Do të pajisim 4 mijë çifte të reja me çelës shtëpie! Sipas kritereve që do të bëhen të qarta kuptohet, por këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën. 4 mijë çifte të reja, të ndarë sipas kategorive, 2 mijë kredi me interes zero!”, shtoi ai.
Fjala e plotë:
Është një moment kur janë pjekur kushtet pas një pune intensive njëvjeçare për të bërë publike piketat kryesore të Programit të ri Kombëtar të Strehimit.
Së pari, nuk është një program i ri kombëtar thjesht dhe vetëm financiar, por është një program i ri kombëtar si mishërimi i një reforme strukturore shumë të thellë, e cila tanimë ka marrë formën e draftit ligjor. Së shpejti do të kalojë në konsultim publik dhe pastaj në Parlament për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në tërësi, në rrugën e marrjes së një shtëpie.
Të jemi shumë të qartë që kjo nuk është një temë e nxehtë, thjesht dhe vetëm në Shqipëri. Ky nuk është një problem thjesht dhe vetëm lokal. Ky është një problem i madh europian dhe jo vetëm është një problem i madh europian, por sa më të zhvilluara vendet e Europës, aq më i madh problemi dhe ky është një nga ato rezultate të zhvillimit të këtyre viteve, me të cilat duhet të përballemi në një formë tjetër, sepse tanimë zhvillimi i dekadës së fundit, ka ndryshuar tërësisht optikën e njerëzve lidhur me vendin dhe me vendin e tyre në këtë vend. Kështu që ‘’Rilindja 2.0’’ është një vizion i ngritur në një nivel tjetër, në një sërë aspektesh dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor.
Janë 6 programe të reja të cilat ne do t’i adresojmë të gjitha së bashku dhe kur them të reja, nuk kam parasysh shpikje sepse janë terma të njohur por janë të “ambalazhuar” së bashku në një reformë tërësore siç e thashë.
Programi i parë është programi i banesave sociale me qira. Është një skemë e mirënjohur, e përdorur në vite, por të cilën ne do ta qasim në një mënyrë të re dhe faktikisht dhënia e banesave sociale me qera do të jetë një program i cili do të bëhet më kompleks dhe jo thjesht dhe vetëm, prit të ndërtohet edhe pastaj të kesh shansin që të marrësh një banesë, në një radhë të gjatë ku nuk i dihet si përfundon seleksioni.
Banesat sociale me qera do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të objekteve të konfiskuara. Dhe këtu, dua të përsëris, që kemi konfiskuar jo pak objekte dhe do të konfiskojmë çdo objekt që do të shkelë rregullat e paracaktuara në ligj për lejet e ndërtimit dhe patjetër dhe bonusin e qerasë, por po ashtu partneritetin publik-privat. Pra, do të përdorim të gjithë instrumentat për të garantuar një ofertë shumë më të gjerë nga ana e shtetit për ata që duhet dhe që do të mund të marrin banesë sociale me qera.
Pastaj vijmë tek banesa me kosto të ulët, që është një tjetër program i cili lidhet me subvencionin nga ana e shtetit të kredisë duke pasur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët dhe për këtë ka një kategorizim të mirëpërcaktuar, me kritere të mirëpërcaktuara.
Pastaj vijmë tek përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël si dhe një projekt, një program i veçantë infrastrukture në zonat informale dhe për të adaptuar banesa të caktuara si banesa sociale.
Programi ka një zhvillim të ri me zhvillimin e zonave të strehimit dhe këtu nuk flasim vetëm për banesat sociale në kuptimin vetëm për ata më në nevojë, po flasim për të gjithë shtresat e shoqërisë.
Nuk duam të ndërtojmë një bllok banimi vetëm për njerëz të varfër, por duam që të kemi blloqe banimi dinjitozë për të gjitha shtresat dhe në ndërkohë që ata më të varfërit, kanë mbështetje më të madhe për të banuar aty, ata më të kamurit do të blejnë aty dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme cilësia.
Zonat e reja të strehimit, ne do të synojmë që të jenë zona cilësore në çdo aspekt dhe kjo është plotësisht e mundshme dhe për këtë do të shërbejë edhe reforma strukturore ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, enti dhe bashkitë do të funksionojnë si një sistem i ri dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të marrë një fuqi të re. Shumë shpejt ne do të fillojmë në Tiranë me këtë program të ri dhe kemi në shqyrtim një sërë zonash të tjera në bashki të tjera, ku natyrisht janë të ftuar të gjithë kryetarët e bashkive që të bëjnë propozimet e tyre.
Programi tjetër është programi i banesave të përkohshme. Ne do na duhet të ndërtojmë edhe banesa të përkohshme. Në cilin kuptim? Në kuptimin e të pasurit në dispozicion të një infrastrukture të gatshme për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore. Fatkeqësitë natyrore janë tanimë bashkëudhëtare të jetës së këtij planeti.
Përmbytjet, zjarret, edhe pse tek zjarret ka një komponent jo të vogël të djallëzisë dhe të marrëzisë njerëzore, por pavarësisht kësaj, është një fatkeqësi natyrore për dikë të cilit i bëhet e pabanueshme shtëpia nga zjarri dhe në ndërkohë që sigurisht do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet tona logjistike dhe njerëzore për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore në kohë reale apo edhe për të parandaluar. Ne do na duhet që të fillojmë hap pas hapi të kemi një sistem mikpritjeje për një periudhë të përkohshme të njerëzve të prekur nga fatkeqësitë natyrore.
Dhe programi i gjashtë është programi i atyre që mund t’i quajmë banesat e veçanta, të cilat janë banesa të përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara apo për individët me aftësi të kufizuar.
Dua të rikthehem tek një e dhënë që është e rëndësishme vetëm për të pasur një background, sepse është e pamundur sot që të komunikohen faktet dhe të mund që njerëzit të kenë akses në fakte që mbërrijnë tek këta pa u deformuar rrugës apo pa u ‘’mbytur’’ rrugës në ‘’lumenjtë e llumit’’ që kalojnë përmes kanaleve sociale dhe pushtojnë mendjet dhe shpirtrat e njerëzve, që këto programe dhe kjo politikë e re e strehimit nuk lind në boshllëk. Nga viti 2018, në vitin 2026 që jemi sot janë 30 904 familje të mbështetura nga programet e strehimit në Republikën e Shqipërisë. 30 904 familje!
Në prezantimin e programit përpara zgjedhjeve të një viti më parë, program që siç e thashë atëherë, nuk ishte elektoral por ishte qeverisës, ne kemi folur për 50.000 familje deri në 2030-n të cilat do të kenë mundësinë e një çelësi për të hapur derën e shtëpisë me të gjitha këto forma natyrisht dhe për këdo që e ka harruar dhe mund ta kenë harruar të gjithë praktikisht se këtu memoria bëhet gjithmonë më e shkurtër. Ndërkohë që llumi që futet në gjithë ato kanalizimet e padukshme të trurit, bëhet gjithmonë më i trashë, 50 000 çelësa nuk janë një objektiv i hedhur në ajër para një fushate që për ne nuk ishte sfidë e mirëfilltë në aspektin e fitores, por ishte një sfidë e mirëfilltë në aspektin e barrës së madhe të përgjegjësisë që kërkuam, sepse në ndërkohë janë 30 904 familje që janë shërbyer me politikat tona të strehimit.
Nisur kjo pikë referimi, po vazhdoj me politikat e reja të 2027-s.
Ne do të pajisim 4 000 çifte të reja me çelës shtëpie, 4 000 çifte të reja sipas kritereve që do të bëhen të qarta, kuptohet, po këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën, ato janë të tjera. 4 000 çifte të reja të ndarë sipas kategorive. Janë 2 000 kredi me interes zero. Pra, për çdo apartament nën 60 000 euro dhe këtu flasim për apartamente të vogla dhe dua ta theksoj, që gjithë këto politika janë ndërtuar mbi një studim të imët të bërë nga grupi i punës të politikave të strehimit sot në Europë dhe jo vetëm në Europë. Pra, për apartamente të vogla për të nisur jetën me një çelës në dorë, ne do të zerojmë kredinë ndërsa 2 000 kredi të tjera do të jenë me interes vetëm 3 % për apartamente që janë mbi 60.000 euro.
E tha ministrja, ne nuk synojmë thjesht dhe vetëm tanë të zgjerojmë programin e strehimit social. Strehimi social është vetëm një komponent. Pra, strehimi i të pamundurve në aspektin e të ardhurave është vetëm një komponent, por ne sot përballemi me një problem shumë të madh që është botëror, europian.
Sa për të dhënë një shembull, pashë një studim të fundit të nxjerrë nga Ministria e Shërbimeve, e Çështjeve Sociale të Suedisë, sot një i ri suedez i cili ka mbaruar universitetin mund të blejë më pak se 2 metra katrorë me kredi, jo nga xhep. Mbaron universitetin, kapacitet për t’u kredituar, 2 metra katrorë, më pak se 2 metër, 1 metër e diçka të tillë.
Pra, jemi në kushtet kur nuk kemi të bëjmë vetëm me të pamundurit, kemi të bëjmë dhe me njerëz të cilët kanë krijuar një familje të re, kanë të ardhura por nuk kanë mundësi të bëjnë shtëpi me ato të ardhura që kanë. Sa herë e dëgjojmë pyetjen “si mund të bëhem unë i pavarur dhe si mund unë të jetoj në Shqipëri”, thotë ai, pavarësisht se as atje ku shkon nuk blen dot shtëpi kurrë, po gjithsesi si mund të jetoj në Shqipëri kur unë kam bashkëshorten me të cilën jam martuar, kam dhe një fëmijë të vogël dhe unë e kam pagën 1.000 euro, bashkëshortja e ka 800 euro dhe e kemi komplet të pamundur të imagjinojmë se mund të blejmë në shtëpi.
Mirëpo këtu kemi të bëjmë me burime njerëzore që ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që t’i konsiderojmë të dorës së dytë në këtë politikë. Kështu që 2 000 kredi do të jenë me interes zero. Pra, do i mbulojë qeveria shpenzimin, ndërkohë që 2 000 të tjera do jenë me 3% dhe tavani i të ardhurave, pra të ardhurave të çiftit do të rritet në 280 000 lek, që është mbi pagën mesatare të të bashkëshortëve në sektorin publik apo në sektorin privat sepse këta njerëz që janë shtresa e re e mesme e Shqipërisë duhen mbështetur dhe më pas vijmë tek pjesa tjetër. Këto janë kreditë.
Vijmë tek 3 000 të tjera, mundësi për çelësin. 3 000 çelësa të tjerë me qira të subvencionuar 50%. Sa herë e dëgjojmë që “çfarë të bëj unë, kam mbaruar shkollën, unë punoj, vetëm qiraja më ha gjysmën e asaj që marr”. Atëherë edhe këtu me prioritet çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen me të njëjtat karakteristika të familjes. Platforma kombëtare do të mbulojë në vitin e parë 3 000 çelësa duke paguar shteti gjysmën e qerasë. Pra, nëse dhe këtu kemi parasysh përsëri, qira të cilat janë në një tavan 400 euro. Nëse ti i plotëson kriteret dhe ke një mundësi që të marrësh një qira, që të marrësh një apartament me qira 400 euro, 200 euro do t’i paguajë qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Vijmë tek politika e tretë e cila është politika e banesave të përballueshme. Pra, gjithë bota sot flet për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm, sepse ka hyrë në një epokë të re zhvillimi i cili ka brenda paradoksin e suksesit dhe Shqipëria është bërë së fundmi pjesë. Certifikatën na e dhanë flamingot.
Kemi hyrë në kohën e paradoksit të suksesit. Zhvillohemi, por nga ana tjetër nuk përballohet dot nevoja për të pasur një çelës, për të fituar pavarësinë nga vjehrra, shumë e rëndësishme. Dhe 30% i politikës sonë do të jenë strehim social, 40% do të jenë strehim i përballueshëm dhe 30% të tjera do të jenë shitje në treg të lirë. Tani ne jemi i vetmi vend në Europë që akoma sot nuk e kemi komponentin e ndërtimit nga bashkitë apo nga shteti, për strehimin social të përballueshëm me mundësinë për të krijuar fitim, duke shitur një pjesë të asaj që ndërton në mënyrë që me fitimin e gjeneruar të vazhdosh të investosh në strehim.
Në ndërkohë kemi një politikë që është nga më progresivet në Europë të 3% taksë për çdo ndërtim. Sepse njerëzit duhet ta kuptojnë. Kjo qeveria ju ka vënë atyre që quhen kot oligarkë, se oligark në Shqipëri nuk ka, ka të pasur. Atyre ju ka vënë taksën më të lartë të ndërtimit që ka rajoni. Nuk ka në rajon taksë ndërtimi. Kur njerëzit shikojnë një kullë, kur njerëzit shikojnë një pallat, duhet të kuptojnë që kjo qeveria që jep leje për ata që ndërtojnë, aty brenda ka futur taksa të cilat nuk i paguan asnjë ndërtues në rajon dhe pjesë e taksave është 3% e të ardhurave nga shitjet e një pallati, shkojnë në fondin e strehimit për ata që nuk blejnë dot në atë pallat.
Tani, a kemi ne luksin që 3% të jetë një marramendëse e akumuluar që rri kot? Çfarë është bërë me 3%? Ku janë pallatet e ndërtuar? Ku janë apartamentet që duhet t’i kishin njerëzit që janë në këto kategori? Ku janë? Janë aty?! Janë aty, por nuk janë të përdorura. Ky është paradoksi i parë dhe njerëzit me të drejtë thonë, “Ok, po ku jemi ne në këtë zhvillim? Dakord, u ngrit kulla e bukur. Po ku jemi ne?”
Ndërkohë që qeveria, shumica jonë qeverisëse ka menduar se ku duhet të jenë ata. Tani është koha ta marrim në dorë këtë gjë ne si qeveri, pushteti vendor përmes instrumenteve që t’i garantojnë të dy palëve sukses.
Paradoksi tjetër, Himara. Himara është bashkia e dytë më e pasur e Shqipërisë në aspektin e të ardhurave. Pse? Taksat! Ne mbledhim taksat, ato që i takojnë qeverisë. Nuk kanë paguar më parë as të kush e di se satën pjesë të asaj që paguajnë sot njerëzit që fitojnë më shumë. Himara i mbledh taksat, por Himara nuk ka nevojë për strehim. Nuk ka njerëz të pastrehë në Himarë që presin të ndërtohen banesa sociale. Mirëpo paratë e 3%-it janë atje. Bën sens kjo? S’bën sens! Ndërkohë që Himara ka nevojë për të tjera gjëra.
Kështu që 3% do të jetë pjesë përbërëse e Fondit Kombëtar të Strehimit dhe Fondi kombëtar i strehimit do t’i mbledhë të gjitha dhe bashkitë sipas shkallës së kontributit të tyre do të bashkëpunojnë me fondin kombëtar, do bashkëpunojnë me Entin e Banesave i cili do kthehet në një kompani publike që jo vetëm do të porosisë, nuk do bëjë tendera siç ka bërë deri më sot, por do bëjë partneritete, do ndërtojë, do nxjerri fitim për shtetin dhe do ri investojë. Patjetër histori kjo që, ne kemi hyrë në një fazë të re të qeverisjes dhe të shtet ndërtimit ku kemi filluar të krijojmë kompani publike që në Shqipëri nuk ekzistonin dhe prapë akuzohemi që kompanitë publike po punojnë për mua e po punojnë për Delinën, se për zotin Demo punon vetëm Berati. Si i bëhet kësaj pune? I bëhet që ne do ecim drejt dhe vetëm do shikojmë rrugën përpara.
Janë dhe pesë shtylla të rëndësishme që janë pjesë e kësaj gjëje që dua t’i përsëris.
E para, Fondi Kombëtar i Strehimit do të ketë brenda kontributin e buxhetit, do të ketë brenda 3% që do paguajë nga çdo leje ndërtimi, çdo lloj ndërtuesi në Shqipëri. Do ketë brenda fondet e Bashkimit Europian, do ketë brenda dhe fonde që do merren nga të tjerët, të tjera burime.
E dyta, formula 30, 40, 30, pra 30 social, 40 i përballueshëm dhe 30 të tjera shitje për të rigjeneruar para që rihidhen në këtë sistem do të udhëheqë çdo pres ndërtimi dhe rindërtimi dhe me këtë rast dua t’ju them qytetarëve të Tiranës që me bashkinë e Tiranës do të finalizojmë shumë shpejt nën udhëheqjen e ministrit të pushtetit vendor planin për t’i dhënë fund historisë së pafundme dhe të pajustifikueshme më, të Rindërtimit që nga Kombinati deri te 5 Maji dhe çfarë ka mbetur tjetër.
Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsyet që dihen dhe për mos arsyet që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj koke prerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Europës që hyjnë në Këshillin e Europës, s’ka asnjë rast. Këshilli i Europës ka dy raste, më saktë
Gjykata e Strasburgut dy, të cilat në të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari njësie bashkiake diku në Hungari dhe të një kryetari bashkie në Turqi. Referenca demokratike dhe është rasti i Shqipërisë që është rast që është shumë më i rëndë dhe shumë më i mbrapsht sesa dy rastet e tjera.
Kështu që heqja e kokës dhe eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë, ku më e prekura është ajo e familjeve që presin më në fund t’iu jepet çelësi sepse janë viktima të tërmetit. Mos flas për viktimat e tjera. Eksperiment jashtëzakonisht i rëndë dhe totalisht i dështuar.
E treta është parkimet, është pjesë e politikës ku edhe parkimet janë konsideruar si elementë të nevojshëm për të futur në këtë program të ri ku 50% shiten me banesa dhe 50% e parkimeve jepen me qira.
Janë pastaj pesë grupe strategjike që do të adresohen në mënyrë strategjike që nga çiftet e reja, deri tek emigrantët dhe po ashtu është edhe një stok social i banesave sociale dhe të përballueshme.
Gjithë këto që thashë janë jo zotime për zgjedhje, po janë piketa të Programit Kombëtar, i cili nga një anë do të materializohet përmes Parlamentit me ligjin e ri, reformën tërësore të agjencive që do ta administrojnë këtë program dhe nga ana tjetër me gjithë disponimin financiar të nevojshëm për buxhetin e 2027-s dhe së shpejti do të publikohen edhe thirrjet përgatitjen e kujtdo që është i interesuar për të hyrë në këtë proces. Besoj që 4 000 çelësat e njërit program dhe 3 000 çelësat e programit tjetër bëjnë 7 000 çelësa për vitin 2027. Vetëm për vitin 2027, pa llogaritur gjithë komponent e tjerë, por vetëm ato të dyja.
Në ndërkohë që këtu nuk llogarisim kredinë e butë që jepet për mësuesit, që jepet për punonjësit e Policisë, që jepet për ushtarakët e rinj, që vazhdon.
Kështu që besimi im i plotë është që brenda vitit 2030 të ketë një arsye më shumë, se kemi një sërë arsyesh, për krenarinë e shumicës qeverisëse bazuar në rezultatet që do të ketë gjithë kjo politikë e re e strehimit në Rilindjen 2.0. Ka një sërë detajesh të tjera, por nuk po ju lodh me ato.
Top Channel