Meta depoziton ankesë për pengim të takimeve me deputetët, Komisioni i Helsinkit kërkon shpjegime nga drejtoria e burgut “313”

10/09/2026 10:13

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i ka dërguar një shkresë zyrtare drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Jordan Misja”, Arjan Bozhaj, duke kërkuar informacion mbi trajtimin e ankesave të deputetit Tedi Blushi dhe presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Sipas shkresës, të datës 8 shtator 2026 dhe me nr. protokolli 438, të dy zyrtarët kanë ngritur shqetësime pasi u është penguar zhvillimi i takimeve me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Parlamentit Evropian, pa u shpjeguar ndonjë vendim i arsyetuar apo bazë ligjore për këtë kufizim.

KShH thekson se çështja është trajtuar më parë përmes një monitorimi në po të njëjtin institucion dhe një shkrese rekomanduese të datës 27 prill 2026, ku theksohej se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë bie ndesh me nenin 51 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Organizata bën me dije se ai ndërhyrje i mëparshëm kishte sjellë një përmirësim në praktikën e institucionit, prandaj rikthimi i pretenduar i të njëjtit kufizim ngre shqetësim të ri dhe kërkon shpjegime nëse kanë ndryshuar rrethanat që do të justifikonin një qasje të tillë.

Bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KShH ka kërkuar zyrtarisht një përgjigje nga drejtoria e IEVP “Jordan Misja” mbi pretendimet e ngritura.

Shkresa e plotë:

KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT

Nr. Prot. 438 Tiranë, më 08 Shtator 2026

Drejtuar: Z. Arjan Bozhaj

Drejtor

IEVP Jordan Misja

Lënda: Përcillen ankesat e Z. Tedi Blushi dhe Z. Ilir Meta dhe kërkohet informacion mbi trajtimin e tyre

I nderuar Z. Bozhaj,

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, është vënë në dijeni të ankesave nga Z. Tedi Blushi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe Z. Ilir Meta, president i Partisë së Lirisë, nëpërmjet të cilave ngrihen shqetësime lidhur me moslejimin dhe zhvillimin e takimeve të këtij të fundit me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetë të Parlamentit Evropian, pa u bërë me dije një vendim i arsyetuar apo bazë ligjore mbi të cilën është mbështetur ky kufizim.

KShH dëshiron të rikujtojë se kjo çështje është trajtuar edhe më herët në kuadër të monitorimit të kryer në IEVP “Jordan Misja”, si dhe në rekomandimet e adresuara institucionit tuaj nëpërmjet shkresës nr. 151 prot., datë 27.04.2026, ku ndër të tjera është vlerësuar se kufizimi i takimeve të të paraburgosurve me deputetë, ngre shqetësime serioze në raport me respektimin e të drejtave të garantuara nga ligji, veçanërisht nga neni 51 i ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Në vijim të këtij procesi monitorimi dhe korrespondencës institucionale, KShH ka konstatuar se kishte një impakt pozitiv në praktikën e ndjekur nga institucioni.

Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i pretenduar i së njëjtës praktikë ngre shqetësim dhe kërkon sqarim për personat e përfshirë, veçanërisht nëse kanë ndryshuar rrethanat faktike që do të justifikonin një qasje të ndryshme nga ajo e ndjekur pas rekomandimeve të mëparshme.

Sa më sipër, në respektim të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, KShH do të vlerësonte informimin nga ana juaj mbi pretendimet e Z. Ilir Meta dhe Z. Tedi Blushi.

Lutemi të gjeni bashkëlidhur për dijeninë tuaj, letrat e cituara më sipër. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, mbetemi në pritje të një përgjigje zyrtare nga ana juaj!

Top Channel